Inspektorati për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët, Iseni: Nuk ka inspektorë, presim mbylljen e konkursit
Inspektorati për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët, i themeluar para 2 muajve....

Inspektorati për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët, i themeluar para 2 muajve, ende nuk ka filluar inspektimet në terren pasi nuk ka inspektorë.
Drejtori i tij, Fatmir Iseni, në “Intervistën javore” për TVM2, që transmetohet të dielën, thotë se po ekipon ekipin kuadrovik dhe hapësinor të Inspektoratit. Punësimet e para prej 7 të punësuarve, 5 prej të cilëve do të jenë inspektorë e 2 administratorë, do të bëhen në konkursin që mbetet i hapur deri më 28 shkurt.
Pas punësimeve dhe pas marrjes së licencave, inspektorët do të fillojnë inspektimet e para në terren, premton Iseni. Paralelisht me këtë, Këshilli Mbikëqyrës Inspektues do të bëjë trajnimin e inspektorëve.
“Buxhetin e kemi 10 milion e 200 mijë denarë, ku rreth 5 milion e diçka janë vetëm për punësime. Tani në fillim do të kemi punësime të pesë inspektorëve që do të bëjnë mbikëqyrjen inspektuese e që do t’i ndjekin trajnimet shtesë, ndërsa në bazë të sistematizimit që e kemi paraparë do të punësohen 35 inspektorë, por të gjitha këto punësime duhet të kemi buxhet. Deri sa inspektorët të dalin në terren, institucionet kanë një hapësirë për t’i ikur obligimit ligjor.”,- deklaroi drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni.
Punësimet para zgjedhjeve, Ivanovska: Nuk lejohen, rrezik ndikimi te votuesit
Por, nga Komisioni Anti-korrupsion thonë për TVM2 se konkurset para zgjedhjeve janë mënyrë për të ndikuar tek votuesit dhe i njëjti duhet të ndërpritet.
“Duke marrë parasysh se procedura për shpalljen e konkursit për punësim në këtë inspektorat nuk mund të kryhet deri para shpërbërjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, kjo lë hapësirë për rrezik eventual nga ndikimet e trupit votues, respektivisht nga kandidatët të cilët janë paraqitur në konkurs.”,- u shpreh kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska.
Gjobat për mos respektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve lëvizin prej 4 deri më 5 mijë euro për institucionet dhe 30 për qind gjobitje për udhëheqësit e institucioneve. (Rexhep Qamili, TVM2)
