BDI: Jo mosrespektim të gjuhës dhe Marrëveshjes së Prespës

14.02.2020 18:40

Shumica parlamentare do të mbështesë kërkesën e kryeministrit, Oliver Spasovski....

Shumica parlamentare do të mbështesë kërkesën e kryeministrit, Oliver Spasovski, për shkarkimin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi.

BDI thotë se nuk mund të tolerohet mosrespektimi i gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Prespës.

LSDM beson se pas shkarkimit të Mizrahit, VMRO-DPMNE do të propozojë person që do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Nuk mund të tolerojmë shkelje të Marrëveshjes së Prespës dhe dygjuhësisë në RMV, prandaj BDI do ta përkrahë shkarkimin e ministres Mizrahi për arsye të mosrespektimit  të gjuhës shqipe dhe të Marrëveshjes së Prespës.”,- theksoi Artan Grubi nga BDI.

LSDM: Presim person që respekton Kushtetutën

“Ka propozim për shkarkimin e saj pasi që ministrja nuk e respekton kushtetutën, ashtu siç është betuar para kuvendit të RMV-së. Unë shpresoj se do të propozojnë person i cili do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e këtij shteti.”,- theksoi Jovan Mitrevski nga LSDM.

Kërkesa për shkarkim erdhi pasi që ministrja Mizrahi u paraqit disa herë me radhë në konferenca për shtyp në ministri para tabelës së titulluar “Republika e Maqedonisë”.

Ajo u shpreh e gatshme të paguaj 5 mijë euro gjobë vetëm të mos respektojë as emrin e ri kushtetues e  Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Kryeministri Spasovski e akuzoi Mizrahin se qëllimisht ka shkelur Kushtetutën, duke rrezikuar ardhmërinë euroatlantike të vendit. (Naim Ramadani, TVM2)