Rasti "Zhvatja", dëshmitë e reja shpalosen me dyer të mbyllura
Shpalosja e bisedave të incizuara nga i akuzuari, Zoran Milevski....

Shpalosja e bisedave të incizuara nga i akuzuari, Zoran Milevski, në rastin "Zhvatja" u realizua me dyer të mbyllura për opinionin. Edhe përkundër këmbënguljes së ish kryeprokurores speciale, Katica Janeva, dhe të akuzuarit, Bojan Jovanovski, që të njëjtat të shpalosen para publikut, gjykatësja mori parasysh propozimin e prokurorisë.
Të akuzuarit thonë se nëse publiku e dëgjon këto incizime do të kuptojë se kush kë ka manipuluar, e kush ka ofruar mito dhe ka zhvatur. Edhe mbrojtja nuk e sheh të arsyeshme se përse publiku u përjashtua nga dëgjimi i dëshmive.
“Pesha e kësaj dëshmie është zero. Nuk dihet kush me kë flet. Më e rëndësishmja është se nuk ka aspak gjëra private. Vërtet nuk ishte e nevojshme ju të largoheni, vlerësoj se duhej të jeni në sallë që të dëgjoni se në çfarë bazohet kjo akuzë.”,- deklaroi avokati, Sasho Dukovski.
Jovanovski u paraqit me 20 minuta vonesë në gjykatë dhe për këtë akuzoi gardianët e burgut që, sipas tij, e kanë sulmuar fizikisht. Por, avokati i tij tha se kishte pasur vetëm një mosmarrëveshje që më pas është sqaruar.
“Ka pasur një incident të vogël, që është rezultat i mosmarrëveshjes që është zgjidhur dhe mendoj se nuk është e nevojshme të ngrihet asnjë lloj fame. Raporti i përgjithshëm, duke filluar nga drejtori e deri tek deri tek i fundit është perfekt dhe në suaza të Ligjit për Zbatimin e Sanksioneve.”,- theksoi avokati, Sasho Dukovski.
Edhe drejtori i burgut të Shutkës, Esad Rahiq, mohon të ketë pasur sulm ndaj të akuzuarit Jovanovski. Ai sqaroi se i pandehuri ka refuzuar t’i vihen prangat, por premtoi se do të hetojë rastin në mënyrë plotësuese. Në seancën e radhët, të hënë, do të shpalosen materiale nga masa të veçanta të sigurisë, me çka mbarojnë dëshmitë e prokurorisë. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
