Maqedoni

Kuvend, diskutohet pr/ligji për këshill të prokurorëve

15.02.2020 17:51

Kuvendi diskuton pr/ligjin për Këshill të Prokurorëve, pas përfudnimit të diskutimit për pr/Ligjin për Prokurori Publike...

Kuvendi diskuton pr/ligjin për Këshill të Prokurorëve, pas përfudnimit të diskutimit për pr/Ligjin për Prokurori Publike, një natë parë.
 
Propozuesi i ligjit, përkatësisht ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, zgjodhi që të mos e arsyetojë para deputetëve as këtë projek ligj, gjë që u dënua nga opozita si mungesë besimi në zgjidhjen ligjore që ofrohet.   
 
“Dëshmi më e madhe se në këtë ligj për Këshill të Prokurorëve Publik nuk beson, se është cilësor, as ai që e propozon, është mungesa e ministres Renata Deskoska dhe heshtja e zëv/ministrit të drejtësisë. Nëse njëri nga ata do të besonte se me këtë ligj bëhet ndonjë reform e madhe në Këshillin për Prokurorë Publik do të thonin se ka shenjën e BE-së dhe këto janë vlerat e reja evropiane”, u shpreh deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Milloshovski akuzoi për partizim të Këshillit Gjyqësor dhe tha se edhe me këtë ligj pretendohet të bëhet partizimi i Këshillit të Prokurorëve Publik.
 
Mirëpo pushteti hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke i rikujtuar gjendjen e gjyqësorit gjatë qeverisjes së VMRO DPMNE-së.     
 
“Ju, më së paku keni kredibilitet që të dilni në këtë foltore dhe të flisni për drejtësi, për shtet ligjor, për gjyqësi të kapur, për drejtësi dhe barazi mes qytetarëve. Si guxoni pas asaj bisede që e dëgjoi i gjithë opinioni vendor dhe ndërkombëtar ku porosisni lustrim të gjykatësit të ndjerë Belevski, nga Kërçova?!”, theksoi deputetja e LSDM-së, Jagoda Shahpaska. 
 
Projekt ligji për Këshill të Prokurorëve Publik është në seancë plenare në pako me pr/ligjin për Prokurori Publike, që të dy me procedurë të shkurtuar.
 
Edhe ndryshimet e reja në këtë ligj janë të lidhura ngushtë me ndryshimet në Ligjin për Prokurori Publike posaçërisht, dispozitat që kanë të bëjnë me zgjedhjen dhe shkarkimin e Prokurorëve Publik.
 
Pas përfundimit të diskutimeve pritet që edhe pr/Ligji për Këshill të Prokurorëve edhe pr/Ligji për Prokurorë Publike të hidhen ne votim. Shumica pretendon se i ka numrat e nevojshëm për votim. Koalicioni i kryesuar nga VMRO DPMNE është deklaruar kundër.        
 
SHPËTIM NUREDINI