Botë
Sulm kamikaz në Çeçeni, vriten 5 policë
06.10.2014 15:18
Pesë oficerë policie janë vrarë dhe të paktën 8 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar në një sulm vetëvrasës në kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni...

Sulmi ndodhi jashtë sallës ku do të mbahej koncerti “Dita e Groznit”.
Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme thuhej se një person i dyshimtë ishte vënë re nga policia. Menjëherë me mbërritjen e tyre, personi i dyshimtë ka hedhur veten në erë.
Gjatë viteve të fundit, qytetit të Groznit i ishte rikthyer qetësia, por ngjarja e së dielës riktheu edhe një herë në kujtesë ditët e errëta të luftimeve mes Rusisë dhe separatistëve çeçen.
Kamikazi është identifikuar me 19 vjeçarin, Opti Mudarov, banor në Grozni, i cili, sipas Ministrisë së Brendshme, ishte zhdukur rreth dy muaj më parë dhe deri ditën e diel familja nuk kishte pasur asnjë kontakt me të.
“Policët dhanë jetën për të shpëtuar jetët e mijëra njerëzve që kishin shkuar në koncert”- tha ministri i Brendshëm rus, Vladimir Kolokoltsev.
Ndërsa lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, tha:“Kamikazi donte të prishte gëzimin e njerëzve në ditën e tyre të festimit, por nuk pati sukses".
