Botë
Koronavirusi, SHBA evakuon 400 veta nga kroçera "Princess Diamond"
17.02.2020 13:11
Disa vende kanë nisur të evakuojnë shtetasit e tyre nga kroçera e bllokuar prej dy javësh në Japoni për shkak të koronavirusit....

Turistët përballen me 2 javë të tjera karantinë në shtetet e origjinës ndërsa në Kinë numri i të infektuarve ka arritur mbi 70 mijë.
Japonia po përgatitet për qindra raste të reja me koronavirus në kroçerën "Princess Diamond".
Anija turistike qëndron në karantinë në brigjet e Jokohamës prej 3 shkurtit pasi 3,700 pasagjerët e saj besohen se mund të ketë bartur sëmundjen.
Një total prej 355 personash kanë rezultuar pozitiv në fundjavë ndaj koronavirusit, duke nxitur vendet si SHBA-ja, Kanadaja apo Italia të kërkojnë evakuimin e qindra shtetasve të tyre në bordin e anijes.
Në Kinë, bilanci tragjik në provincën e Hubeit vazhdon të rëndohet dita-ditës.
Numri i rasteve me infeksionin vdekjeprurës u rrit në 2 mijë ndërsa ai i vdekjeve me 105, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave mbi 1,770.
Në rang kombëtar, mbi 70 mijë pacientë raportohet të jenë bartës të virusit.
Qytetet e provincës kanë marrë masa edhe më drastike për të ndalur përhapjen e epidemisë.
5 milionë banorët e qytetit të Shjaoganit, qyteti i dytë me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara me virusin, janë urdhëruar të qëndrojnë brenda banesave në të kundërt mund të arrestohen deri në 10 ditë.
Për ushqimet dhe artikujt e tjerë, blerjet janë kërkuar të kryhen çdo tre ditë nga vetëm një person i shtëpisë.
Mediet shtetërore raportojnë se në rrugë ndalohet edhe lëvizja e çdo mjeti, përfshirë biçikletat, ndërsa të gjitha llojet e bizneseve janë mbyllur, me përjashtim të farmacive, hoteleve dhe shërbimeve mjekësore./Ora News
