Maqedoni

Shpërbëhet Kuvendi, Xhaferi apel institucioneve: Siguroni kushte për zgjedhje demokratike

17.02.2020 15:15

Një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit, kryeparlamentari Talat Xhaferi shpalli edhe zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare....

Duke iu drejtuar qytetarëve që më 12 prill përmes votës do të shprehin vullnetin e tyre, Xhaferi përkujtoi se liderët vendosën t’ia kthejnë mandatin sovranit i cili tashmë duhet të vendosë të shfrytëzojë të drejtën e votës. Ai përkujtoi se është obligim i institucioneve të sigurojnë kushte për zbatimin e zgjedhjeve korrekte, të lira dhe demokratike, sepse zgjedhjet e tilla i ngjajnë një vendi që është shumë afër përmbushjes së aspiratave evropiane. 
 
“Është obligim i institucioneve që të sigurojnë kushte për zbatimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në të cilat ju do ta shfrytëzoni të drejtën dhe obligimin tuaj demokratik. Apeloj deri te gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor, partitë politike, anëtarët e partive, anëtarët e bordeve zgjedhore dhe komisioneve komunale zgjedhore të jenë në lartësinë e detyrave të tyre dhe të kontribuojnë që dita e zgjedhjeve të jetë solemne dhe të jetë edhe një shembull pozitiv në raportin për përparimin e vendit që duhet të publikohet në mars, me çka do të japim kontribut të rëndësishëm dhe rezultate pozitive në Samitin e Zagrebit dhe të marrim datë për fillim të negociatave me BE-në.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi nuk deshi të komentojë për punën e tij si kryetar kuvendi, vetëm tha se po përgatit një raport i cili do të publikohet së shpejti.  
 
SANIJE DURAKU