Botë

12 vjetori i pavarësisë, seancë solemne në Kuvendin e Kosovës

17.02.2020 15:56

U mbushën 12 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia...

U mbushën 12 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia, duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.
 
Në seancën solemne të kuvendit, kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, rikujtoi se ky përvjetor është përkushtimi i të gjithë brezave që dhanë kontributin e tyre për shtetësinë e Kosovës.
 
“Ta kujtojmë para së gjithash ideatorin e projektuesin e pavarësisë së vendit, arkitektin e shtetit të Kosovës, Atin themelues, dr. Ibrahim Rugovën, ikonën e përbashkët të lirisë, njeriun e dijeve, liderin shpirtëror të shqiptarëve, i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human; t’i kujtojmë po kështu heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor, komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, familjen Jashari, e cila u sakrifikua për lirinë e vendit, të gjithë dëshmorët e heronjtë, të pagjeturit, martirët e shumtë, Kujtojmë gjithë martirët përfshirë gra, fëmijë e pleq, si dhe gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre.”,- deklaroi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
 
12 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, homazhe familjes Jashari dhe Ibrahim Rugovës
 
Aktivitetet nisën që në mëngjes me ngritjen e flamurit të Kosovës dhe intonimin e Himnit nga Garda e FSK-së. Më pas u bënë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
 
“Erdhëm sot në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes e të qëndresës së popullit tonë për të kujtuar dhe nderuar familjen Jashari, babën Shaban, me nënën Zahiden, Ademin e Adilen, Hamzën e Feridin, Zarifen me fëmijët dhe me familjen e gjerë, gjithsej 59 veta,  të cilët luftuan dhe u sakrifikuan në një ngjarje të jashtëzakonshme, që sot njihet si Epopeja e UÇK-së.”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti për herë të parë ka bërë homazhe edhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova.
 
“Ne vlerësojmë përpjekjen institucionale për liri dhe pavarësi.”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Edhe obelisku “NEWBORN” ka prej sot pamjen e re që paraqet simbolin e përkrahjes dhe fuqizimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
 
Në mbrëmje në Katedralen “Shën Nëna Terezë” organizohet pritja shtetërore nën kujdesin e presidentit, Hashim Thaçi, me praninë e udhëheqësve të lartë shtetërorë e miqve ndërkombëtarë.
 
Kosova është njohur nga 116 vende të ndryshme të botës, por njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të saj mbetet ende prioritet i diplomacisë së Kosovës.
 
GYLTENE SINANI