Maqedoni

Aleanca për Shqiptarët: Koalicion dhe me sektorin civil, që të mundim BDI-në

17.02.2020 16:42

Aleanca për Shqiptarët nuk përjashton mundësinë që përveç koalicionit tashmë të bërë publik me Alternativën...

Aleanca për Shqiptarët nuk përjashton mundësinë që përveç koalicionit tashmë të bërë publik me Alternativën, të koalicionojnë edhe me sektorin civil.  Nga ASH fajësojnë Besën për mosarritjen e koalicionit trepartiak, por janë optimistë se edhe kështu do arrijnë ta çojnë BDI-në në opozitë më 12 prill.
 
“Oferta jonë fatkeqësisht nuk u pranua nga Lëvizja Besa, madje në disa raste edhe u nënçmua, ne kemi qenë serioz, por jo gjithçka varet nga vullneti ynë. Ne do të vazhdojmë të krijojmë koalicione më të zgjeruara edhe me sektorin publik, sepse jemi të interesuar që të gjithë shqiptarët që duan të bëjnë ndryshimin të jenë pjesë e këtij boshti që udhëhiqet nga Aleanca dhe që shpresojmë që BDI-në përfundimisht do ta çojmë në opozitë.”,- tha zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.
 
Ahmeti: Ne nuk vuajmë nga paranojat, por punojmë
 
BDI nuk i trembet koalicionimit opozitar. Kreu i saj, Ali Ahmeti, thotë se nuk do ta paranojë opozitën sepse është e përqendruar në zbatimin e programit të saj. Por, se me çfarë kandidatësh do të garojnë në këto zgjedhje, kreu integrist tha se për këtë vendosin organet e partisë. 
 
“E njëjta pyetje më bëhet gati për çdo vit: A frikësoheni prej këtij apo prej atij, por sigurisht që unë nuk vuaj dhe nuk kam paranojë aspak.”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
- Me çfarë kandidatësh do të garoni në këto zgjedhje? 
 
“Kjo do të varet nga organet drejtuese të partisë, do bëhen anketime, sondazhe dhe ne duam të garojmë me përfaqësues të pranueshëm për votuesit tanë.”,- u përgjigj Ahmeti. 
 
Ahmeti: Prioritet sundimi i ligjit e vetingu gjithëpërfshirës
 
Sundimi i ligjit është prioritar për BDI-në edhe në mandatin e ardhshëm.
 
“BDI në mandatin e ardhshëm do të angazhohet në radhë të parë mbi sundimin e ligjit, duke filluar që nga vetingu për të gjitha institucionet ligjvënëse, ligjzbatuese dhe kryetarë komunash.”,- u shpreh Ahmeti.
 
Kreu i BDI-së nuk deshi të komentojë për koalicionet e mundshme pas zgjedhore e për respektimin e parimit “fituesi me fituesin”. Ahmeti tha se koalicioni aktual qeverisës u formua në rrethana të jashtëzakonshme e nuk do të donte që vendit t’i ripërsëritet 2016-a.
 
ERSAN PAJAZITI