Botë

“Kovid 19”, 355 të infektuar në anijen japoneze

17.02.2020 17:10

Numri i të infektuarve me “Kovid-19” në anijen karantinë në Yokohama është rritur...

Numri i të infektuarve me “Kovid-19” në anijen karantinë në Yokohama është rritur, aktualisht në 355. Gjendja shëndetësore e dy qytetarëve tanë në anije është stabile. Një shtetase tjetër, me ndërmjetësim të ambasadave në Pekin dhe Paris, është evakuuar nga qyteti kinez Vuhan dhe kaloi 14 ditë në karantinë në Francë. Ajo është  në gjendje të mirë shëndetësore, posedon certifikatë se nuk është e infektuar me virusin Korona dhe për momentin gjendet pranë familjes së saj,  thonë nga MPJ.
 
Nga “Diamond Princes” u evakuuan ndërkohë nga ajri gati 400 qytetarë amerikanë. Të infektuarit e tjerë në anije ende janë në ankth. Qeveria japoneze u ka mundësuar komunikim të lirë telefonik me familjet, mjekët, farmacistët dhe psikologët.
 
“Situata me virusin e ri Korona po ndryshon vazhdimisht. Disa ditë më parë kishim viktimën e parë midis qytetarëve tanë. Numri i të infektuarve është rritur kohët e fundit, por rruga e infeksionit nuk dihet.”,- tha kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
 
Mbi 1.700 të vdekur në Kinë, Pekini zyrtar: Numri i të infektuarve, në rënie
 
Mbi 1.770 njerëz kanë vdekur në Kinë dhe mbi 70.500 janë infektuar. Megjithatë, Pekini pretendon se gjatë tre ditëve të fundit numri i të infektuarve është në rënie.
 
“Në nivel shtetëror, kulmi i rasteve  të konfirmuara ishte regjistruar më  27 janar. Ndërsa tani  është 7.2%, që do të thotë se përpjekjet e qeverisë kundër epidemisë kanë treguar rezultate.”,- tha zëdhënësi i Komisionit Nacional të Shëndetit, Mi Cheng.
 
Mbi 1.400 pacientë janë liruar nga trajtimi spitalor.
 
“Kam pasur kontakte të ngushta me personelin mjekësor dhe e di se ata kanë punuar shumë. Puna e tyre nuk është e lehtë. Dua t’i falënderoj. Virusi nuk është aq i frikshëm dhe ne mund ta mposhtim atë.”,- potencoi një pacient.
 
Tajvani ndau 2 miliard dollarë për ballafaqimin nga pasojat negative të “Kovid-19”, ku janë përfshirë subvencionet për hotele, transport dhe ushqim, teksa sektori i turizmit atje po përballet me një rënie drastike të vizitorëve. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI