Maqedoni

Zona industriale në Vizbeg, afaristët ankohen, politika premton zgjidhje

17.02.2020 17:48

Zona industriale e Vizbegut ka shtuar vizitorët politikë këto muajt e fundit....

Afaristët janë të lumtur me afrimin e zgjedhjeve, sepse të paktën në periudha të tilla, në zonë fillon e investohet diçka. Iu ankuan funksionarëve të lartë të BDI-së që i vizituan se në 10 vite asgjë nuk u investua në këtë zonë, e më në fund u bënë me rrjet ujësjellësi e ka filluar para pak kohësh edhe rrjeti kanalizues. Apeluan se kanë nevojë për infrastrukturën rrugore. 
 
“Shoqata ka bërë tërë kohën intervenime dhe ka kërkuar takime edhe me qytetin e Shkupit edhe ministrat dhe kemi një lëvizje që për neve është shumë e madhe, kemi bërë ujësjellësin. Deri diku ka arritur edhe kanalizimi, por kjo nuk mjafton, flas për gjithë zonën dhe duhet që të arrihet ajo që kemi humbur 10 vite këtu, ku nuk është ndërmarrë asnjë hap.”,- theksoi drejtori i Zonës Industriale, Nexhat Shahini.
 
“Në zonën tonë ka shumë prioritete, por ajo që është me rëndësi është rruga. Unë nuk kam të dhëna reale, por zona e Vizbegut është me një ndikim shumë të madh në zonën e Shkupit.”,- theksoi afaristi, Muharem Hamdiu.
 
Pasi dëgjuan hallet e bizneseve, kreu i BDI-së dhe ministri i ekonomisë thanë se pa biznese të qëndrueshme nuk mund të flitet për zhvillim ekonomike.  
 
"As që duhet të ketë dilemë për infrastrukturë dhe ndërtim të infrastrukturës moderne. Nuk mund të ketë më politikë të qëndrueshme pa ekonomi të qëndrueshme, këto janë të lidhura, por nuk janë të pakapërcyeshme, nuk mund vështirësi të krijojnë të tjerët që ne të realizojmë qëllimin.",- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
“Sa i përket asfaltimit të rrugëve dhe rrugicave, ne vetëm se kemi ndarë mjete për rrugët lokale dhe pikërisht komuna e Çuçersandevës dhe komuna e Karposhit kanë mjete të ndara nga Qeveria për këto rrugë në këtë zonë.”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Zona industriale e Vizbegut bën pjesë me rreth 3,4% në BPV, me qarkullim total vjetor me rreth 400 milionë euro.
 
ZEKIRJA MEXHITI