Maqedoni
Kryeministrat e Ballkanit perëndimor në Bruksel: Metodologjia, motiv shtesë për vendet kandidate
17.02.2020 18:30
Komisioni Europian pritet të prezantojë brenda fillimit të marsit raportin e shkurtër mbi ecurinë...

Komisioni Europian pritet të prezantojë brenda fillimit të marsit raportin e shkurtër mbi ecurinë e reformave kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që lidhen kryesisht me shtetin ligjor, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Samiti i Zagrebit pritet të jetë një etapë e rëndësishme në procesin e zgjerimit të BE-së. Në prag të mbajtjes së këtij samiti, në Bruksel po zhvillohen takime me liderët e Ballkanit Perëndimor, për të parë se si mund të thellohet partneriteti e për të konfirmuar perspektivën europiane dhe për t’i dhënë Ballkanit perëndimor sinjale të qarta lidhur me progresin që duhet bërë për reformat e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në takimet me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, komisioneri për politikat evropiane të fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varheji, potencoi qartë se Komisioni Evropian jep përkrahje të plotë për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur iniciativën e Mini-Shengenit Ballkanik. Kryeministrat e të tre vendeve, Spasovski, Rama dhe Bërnabiq e cilësuan bashkëpunimin rajonal si kontribut i rëndësishëm i secilit shtet në rajon në përforcimin e kapaciteteve për përkrahje të ndërsjellë në realizimin e standardeve për integrim për të shpejtuar në BE.
Në takimin me eurokomesarin Varheji është biseduar edhe për metodologjinë e re të negociatave , me ç’rast është konstatuar se në këtë mënyrë jepet cilësi në procesin negociues dhe motivim shtesë për aspiratat e vendeve kandidate që të përshpejtojnë realizimin e anëtarësimit në BE.
FLUTURA LATIFI
