Maqedoni
Mexhiti: Të ndryshohet ligji për emërtimin e rrugëve dhe objekteve
06.10.2014 15:23
Edhe pse përdorimi i gjuhës shqipe në Shkup garantohet me Kushtetutë dhe Ligjin për Qytetin e Shkupit...

Edhe pse përdorimi i gjuhës shqipe në Shkup garantohet me Kushtetutë dhe Ligjin për Qytetin e Shkupit, mosrespektimi i gjuhës shqipe gjatë emërtimit të rrugëve dhe urave duket se është peng i mos sqarimit të kësaj pike në Ligjin për Emërtimin e Rrugëve, Shesheve dhe Urave.
Kreu i Shkupit, Koce Trajanovski, thotë se Ligji për Emërtimin e Objekteve Infrastrukturore nuk e përkufizon shqipen si gjuhë zyrtare në të gjithë Qytetin e Shkupit, por vetëm në komunat me mbi 20% shqiptarë.
Trajanovski, pranon se ligji si i tillë është në kundërshtim me vet kushtetutën, por sipas tij, është parlamenti ai që ndryshon ligjet, komunat vetëm i respektojnë ato.
“Këtë mospërputhje ne si Qytet i Shkupit nuk mund ta përmirësojmë, sepse ajo është punë e parlamentit, por si Qytet i Shkupit, pyesni këdo nga juristët, përdoret ligji që është “lex specialis” për këtë sferë dhe që rregullon pikërisht këtë sferë. Çdo institucion duhet ta respektojë ligjin “lex specialis”. Përputhjen dhe moskundërshtimin e ligjeve nuk e bën Qyteti i Shkupit”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, ka qenë i prerë ku tha se Ligji për Emërtimin e Rrugëve, Shesheve dhe Urave është anti-kushtetues dhe duhet ndryshuar urgjentisht.
“Përveç rrugëve dhe urave, gjithçka tjetër, siç pranoi edhe z. Trajanovski, duhet të jenë në dy gjuhë, gjuhën shqipe dhe maqedonase në mënyrë të barabartë. Mirëpo edhe përkundër kësaj, mendoj se ligji që e përmendi z. Trajanovski për rrugët dhe urat nuk është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, nuk është në frymën e Kushtetutës së re të Maqedonisë dhe duke pasur parasysh se ne jemi ata që mbajmë përgjegjësi dhe duhet t’i kultivojmë vlerat multi-etnike, t’i kultivojmë vlerat e dy etniteteve në Qytetin e Shkupit, mendoj se edhe ai ligj duhet të pësojë ndryshime dhe t’i përshtatet Ligjit për Qytetin e Shkupit, që të vendosë në mënyrë të barabartë gjuhën shqipe dhe maqedonase”- tha nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Derisa autoritetet arsyetohen me mangësitë ligjore për mosemërtimin e rrugëve dhe urave të Shkupit edhe në shqip edhe më tej mbetet e paqartë se përse deri tani nuk është plotësuar Ligji për Emërtimin e Rrugëve, Shesheve dhe Urave i miratuar në vitin 2004.
Pa ndryshime në këtë ligj, rrugët, urat dhe institucionet në Shkup do të vazhdojnë të emërtohen vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze.
NAIM SINANI
