Maqedoni

FEG: Të ndërpriten të gjitha presionet ndaj gazetarëve

06.10.2014 15:29

Ndalimi i të gjitha presioneve, rishqyrtimi i të gjitha veprimeve të ndërmarra kundër gazetarëve, harmonizimi i legjislaturës vendore me normat ndërkombëtare...

Ndalimi i të gjitha presioneve, rishqyrtimi i të gjitha veprimeve të  ndërmarra kundër gazetarëve, harmonizimi i legjislaturës vendore me normat ndërkombëtare, si dhe zbatimi i tyre pa diskriminim janë disa nga rekomandimet që dolën nga takimi i Federatës Evropiane të Gazetarëve,  Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve  dhe Shoqatës së Gazetareve në Maqedoni.
 
Kryetar i FEG-së, Mogens Bjeregard, vlerëson se gazetarët dhe mediat janë pjesë e rëndësishme e një demokracie të plotë dhe ftoi pushtetin që t’ia hap dyert lirisë së shprehjes dhe medias.  
 
“Sulmi ndaj gazetarisë, sulmi ndaj gazetarit Kezharovski është sulm ndaj neve, sulm mbi të gjithë gazetarët dhe sulm mbi profesionin tonë. Ftojmë pushtetin që të ndërpresin të gjitha presionet ndaj gazetarëve, sepse është tejet e rëndësishme që gazetarët të lirë ta kryejnë detyrën e tyre dhe të hulumtojnë rastet që po ndodhin në shoqëri dhe të informojnë të njëjtit”- deklaroi kryetari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Mogens Bjeregard.
 
Përfaqësuesit e organizatave të mediave në vend vlerësojnë se janë të nevojshme reforma në sferën e medias, sepse vërehet mungesa e lirisë së shprehjes dhe politikës redaktuese të pavarur në vend. 
 
“Është koha e fundit që qeveria të vetëdijesohet se duke kontrolluar media nuk mund të ndërtohet demokraci në Maqedoni. Unë jam i bindur se përveç si shtet demokratik, Maqedonia nuk mund të ketë ardhmëri të sigurt”- tha kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
 
“Përderisa gazetarët punojnë nën kushtet e korrupsionit, kërcënimeve dhe presionit, Maqedonia nuk do të ketë media të lira, profesionale dhe të pavarura, ndërsa publikut do t’i mungojë informacioni i saktë dhe profesional. Ka nevojë për reforma urgjente që të kemi liri të shprehjes”- u shpreh kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve, Tamara Çausidis.
 
Përveç rekomandimeve, organizatat e mediave kërkuan transparencë të plotë të fushatave mediatike të qeverisë, me interes të qartë publik, të bazuar në kritere objektive, sepse qeveria është një nga reklamuesit kryesor në mediat private.
 
Gjithashtu u kërkua që shteti të garantojë paanshmërinë e organit rregullator të medias dhe të mbrojë atë nga ndikimet politike dhe ekonomike, si dhe pavarësi institucionale dhe financiare të servisit publik.
 
SANIJE KASAMI