Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme, KShPK do të monitorojë abuzimet e mundshme

18.02.2020 14:49

Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre, bartësit e institucioneve duhet të kenë kujdes...

Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre, bartësit e institucioneve duhet të kenë kujdes në përdorimin e mjeteve dhe fondeve buxhetore për veprimtari publike, përveç mbulimit të aktiviteteve që janë paraprakisht të parapara me programin e tyre vjetor, thotë Shemsedin Sallai nga KShPK. 
 
“Institucionet nuk duhet të bëjnë investime me mjete buxhetore apo mjete publike të ndërmarrjeve publike apo agjencive, drejtorive që kanë buxhet publik. Ndërpritet çdo lloj aktiviteti nga këto, përveç aktiviteteve që janë paraprakisht të parapara me program vjetor, të miratuara mjetet edhe me buxhetet e institucioneve dhe që kanë një rrjedhshmëri të planifikuar për vitin që vijon.”,- tha anëtari i KShPK-së, Shemsedin Sallai.
 
Gjithashtu nuk mund të fillohen procedura për punësime të reja ose procedura për ndërprerjen e punësimit. 
 
“Institucionet duhet të ndërpresin të gjitha llojet e punësimeve dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj shpallje për punësim dhe të gjitha shpalljet që janë shpallur deri në këtë moment duhet të bëhet ndërprerja e tyre deri në mbarimin e zgjedhjeve.”,- u shpreh anëtari i KShPK-së, Shemsedin Sallai.
 
Gjatë gjithë periudhës parazgjedhore, KShPK do të jetë e hapur për bashkëpunim me qytetarët, thotë Sallai.
 
“Qytetarët kanë të drejtë të paraqesin çdo lloj aktiviteti të jashtëligjshëm që ata konsiderojnë që në bazë të asaj paraqitje ne do të hapim lëndë dhe do ta ndjekim procedurën deri në verifikimin e veprimeve, kanë bazë apo nuk kanë bazë. Në qoftë se kanë bazë, veprojmë më tutje.”,- tha anëtari i KShPK-së, Shemsedin Sallai.
 
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do të monitorojë dhe sanksionojë çdo abuzim gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e që ka të bëjë me keqpërdorimin e hapësirave zyrtare, pajisjeve dhe automjeteve nga zyrtarët dhe nëpunësit civilë. 
 
NAIM RAMADANI