Rasti "Zhvatja", provat e prokurorisë u shpalosën pa publikun
Prezantimi i dëshmive që Zoran Milevski i ka dorëzuar në prokurori për rastin "Zhvatja"....

Prezantimi i dëshmive që Zoran Milevski i ka dorëzuar në prokurori për rastin "Zhvatja" u zhvillua me dyer të mbyllura për opinionin. Me prezantimin e këtyre incizimeve përfunduan dëshmitë e propozuara nga prokuroria.
Edhe pse gjatë ditës së djeshme prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska, tha se publiku do të jetë prezent gjatë shpalosjes së këtyre dëshmive, sot kishte propozim të kundërt.
E radhës në procesin gjyqësor për këtë rast është prezantimi i dëshmive të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve, Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva. Mbrojtja e të akuzuarve sqaroi se kanë propozuar listë të dëshmitarëve, por nuk zbuluan detaje.
Ata thanë se nga trupi gjyqësor kanë kërkuar që publiku të jetë prezent gjatë shpalosjes së dëshmive të sotme, por që kërkesa e tyre është refuzuar.
“Gjatë ditës së djeshme na lajmëruan se do të dëgjohen incizimet dhe ajo bëhet për publikun. Ne vlerësojmë se një incizim ndoshta kishte bazë për shkëputjen e publikut, por tek të tjerat, sipas mendimit tonë, duhej të jetë prezent publiku dhe do të kishin mundësi të njoftohen me përmbajtjen e incizimeve. Ishte vendim i gjykatësit, ne reaguam.”,- u shpreh avokatja, Irena Frçkovska.
“Në seancat e tjera që do të jenë publike do të jeni prezentë në dëgjimin e dëshmitarëve tanë verbal. Do t’i shihni në listën e dëshmive, nuk është asgjë spektakulare, nuk ka nevojë të tregohen emra. Nuk kishte arsye për shkëputjen e publikut, aq më shumë kur dje u paralajmërua ndryshe.”,- tha avokati, Sasho Dukovski.
Gjykimi për rastin "Zhvatja" do të vazhdojë të enjten. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
