Maqedoni
Spasovski në Bruksel, takime me Sassolin dhe Stotenbergun
18.02.2020 16:38
Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli, kërkon nga partitë politike në Maqedoninë e Veriut...

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli, kërkon nga partitë politike në Maqedoninë e Veriut të qëndrojnë unike gjatë periudhës zgjedhore. Pas takimit me kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, kryeparlamentari evropian në profilin e tij në Twitter ka shkruar: “Përsërita mbështetjen e fuqishme të Parlamentit për hapjen e negociatave. Theksova rëndësinë që të gjithë partitë politike të vazhdojnë të mbeten të unifikuara në angazhimin e tyre për themelet e anëtarësimit, qoftë edhe gjatë periudhës zgjedhore”.
Sasoli njëherit ka vlerësuar hapat e deritanishëm që ka bërë vendi, përfshi miratimin e Ligjit të Prokurorisë.
“Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, veçanërisht me miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike. Kjo është shenjë pozitive përpara takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian në mars.”,- thekson kryeparlamentari europian. Takimi Spasovski - Sasoli vjen dy ditë para raportit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian.
Në takimin, ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, kryetari i Kuvendit Evropian, Sassoli, tha se Ballkani Perëndimor është një rajon strategjik për BE-në dhe se gjatë vizitës së tij në vendin tonë ai ishte i bindur që qytetarët besojnë fuqimisht në BE dhe të ardhmen e përbashkët. Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë janë shembull në rajon dhe themel i të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe se vendi mbetet i përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve që paraqesin shembull për zgjidhjen e kontesteve bilaterale, është theksuar në takim.
Kryeministri Spasovski u takua edhe me sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stotenberg, me ç’rast kanë biseduar për procesin e ratifikimit të protokollit paraqasës për NATO-n dhe përfundimin e tij me ratifikim në Parlamentin e Spanjës, pas çka vendi do të bëhet anëtarja e 30 e Aleancës.
SANIJE DURAKU
