Maqedoni

Përplasje VMRO/LSDM. Mickovski: Me 12 projekte, kundër LSDM-së

18.02.2020 16:53

Kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski, promovoi 12 projekte nga “Programi për Ripërtëritjen e Maqedonisë”...

Kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski, promovoi 12 projekte nga “Programi për Ripërtëritjen e Maqedonisë”, me të cilat, sipas tij, do të ndryshojë realitetin dhe krizën që ka krijuar qeveria Zaev. Mickovski tha se projektet janë nga fusha e transportit dhe infrastrukturës. Midis tjerash, ai paralajmëroi 2 miliard investime në rrugë, ndërtimin e autostradës Shkup - Manastir, riparim të mbi 1 mijë kilometrash rrugë rajonale dhe shtetërore, ndërtimin e 150 kilometrave rrugë të shpejta në mbarë shtetin si dhe 300 milion euro në ujësjellës dhe kanalizime.
 
“Do ta përfundojmë atë që e filloi qeveria e VMRO-DPMNE-së autostradat Kërçovë-Ohër, dhe autostradën Shkup-Bllacë. ..Këto masa do të sjellin bum ndërtimor dhe infrastruktural. Investimet në infrastrukturë janë investime në ardhmëri dhe zhvillimin ekonomik dhe shtytje të mbi 30 veprimtarive ekonomike të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo janë të ndërlidhura me ndërtimtarinë, transportin dhe infrastrukturën. Vetëm me këto masa do të sigurohet rritje për rreth 30% të ndërtimtarisë, që do të thotë 30% më shumë paga, punë dhe zhvillim të ekonomisë.”,- deklaroi kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Kostadinov: Mickovski kopjon programin tonë
 
Nga LSDM fajësojnë Mickovskin se po kopjon programin e LSDM-së për infrastrukturë. Zëdhënësi i partisë Kostadinov, thotë se lideri opozitar nuk ka ide dhe është i fokusuar në mbrojtjen e krimit të kryer nga Gruevski.
 
“Rendit projekte të cilat veç më janë paralajmëruar ose janë duke u realizuar dhe kanë hyrë në programin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Asgjë nuk ka ndryshuar në VMRO-DPMNE. Është partia e njëjtë e pareformuar dhe robëruar nga Nikolla Gruevski. Për 11 vite qeverisje kriminale të VMRO-së u ndërtuan vetëm 10 kilometra autostradë.”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov. 
                                           
Socialdemokratët thonë se për 2 vite e gjysmë qeverisje ndërtuan dhe riparuan 750 km rrugë, përfunduan rrugën Milladinovc – Shtip, zhbllokuan punimet në rrugën Kërçovë – Ohër si dhe ndërtuan 400 km rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit. 
 
MERAL ISMAILI