Maqedoni

Zgjedhjet e 12 prillit, partitë filluan kalkulimet partiake

18.02.2020 18:03

Pas shpalljes zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare....

Pas shpalljes zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, partitë politike kanë filluar kalkulimet për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje si të vetme apo në koalicion. LSDM, përveç partnerëve tradicionalë të bllokut maqedonas, nuk përjashton mundësinë për koalicion me PDSh-në dhe Lëvizjen Besa. Nga LSDM po ashtu thonë se do të kenë edhe kandidatë shqiptarë në listat e tyre në njësinë e parë, të dytë dhe të gjashtë zgjedhore. 
 
“Kjo nuk duhet patjetër të lidhet me koalicionet e mundshme me ndonjë parti shqiptare që eventualisht të kemi kandidatë shqiptarë në listat tona të kandidatëve. LSDM-ja është parti e të gjithë qytetarëve dhe nuk është parti nacionaliste. Ne jemi të hapur.”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Mundësinë e koalicionimit nuk e përjashtojnë edhe Besa dhe PDSh, por tani për tani nuk ka hapa konkretë. Në bllokun shqiptar gatishmëri për koalicion kanë shprehur Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndërsa BDI ka paralajmëruar se do të garojë e vetme. VMRO-DPMNE sërish do të garojë në koalicion me bllokun e partive opozitare maqedonase. Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski, njofton se në fillim të marsit do të dihen edhe emrat e kandidatëve për deputetë.
 
“Bartësit e listave për njësitë zgjedhore do të publikohen mes datës 1 dhe 5 mars, kurse pjesa tjetër e listës, ose personat të cilët do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë të VMRO-DPMNE-së, jo më vonë se 10 marsi.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Partitë politike listat e kandidatëve për deputetë duhet t’i dorëzojnë në KShZ, deri më 12 mars. Sipas deklaratave të deritanishme, në lista do të përfshihen edhe emra të rinj, por edhe një pjesë e deputetëve të deritanishëm. 
 
FITORE DEMOLLI