Futboll
Deklasohet Interi, Napoli fiton me kthesë
06.10.2014 15:35
Skuadra e Mazzarrit vazhdon të mos bindë duke humbur 3-0 përballë një Fiorentine të madhe...

Interi njeh krizën që në fillim të kampionatit. Skuadra e Mazzarrit vazhdon të mos bindë duke humbur 3-0 përballë një Fiorentine të madhe, që e ktheu portën e Interit në tabelë qitjeje, aq sa golat e vjollcëve ishin fantastik, si i pari i Babacar, që përfundoi drejt e në trekëndësh.
Interi, gjithsesi u duk sikur po qëndronte në ndeshje dhe u përpoq të vinte nën presion vjollcët, por një tjetër goditje nga distanca, këtë herë e Cuadrados i dha drejtim ndeshjes.
Pjesa e dytë u duk sikur u luajt sa për statistikë, pasi Fiorentina gjeti dhe golin e 3-0 me Tomovicin, që konfirmoi parakalimin vjollcë në renditje ndaj zikaltërve, të cilët në dy ndeshjet e fundit në kampionat kanë marrë plot 7 gola.
Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për Napolin, që u ndëshkua nga një gol i një ishi si Quagliarella, i cili shënoi me një kthesë fantastike.Në ndryshim nga Interi fitoi Napoli dhe pse me shumë vuajtje ndaj Torinos.
Skuadra në rastet e krijuara arriti të shënojë vetëm në pjesën e dytë me Insignen që riktheu barazpeshën. Ndërsa fitorja erdhi pas një goditje të Callejon që me pak fat i dha suksesin të tijve. Ishte kjo e treta fitore për Napolin brenda një jave, që mund të ndryshojë plotësisht sezonin e tij.