Rishfaqet “Vangiri”, shtohen thirrjet mashtruese, kujdes!
Ditëve të fundit, shumë qytetarë kanë marrë disa thirrje telefonike të çuditshme....

Ditëve të fundit, shumë qytetarë kanë marrë disa thirrje telefonike të çuditshme nga numra me prefikse të huaj. Thirrjet vijnë kryesisht nga Lituania dhe Estonia, e në shumicën e rasteve mbartin prefiksin +370 (668), +370 (669), +48 780, +881.
Nëse keni marrë thirrje nga numra të tillë, mos e hapni sepse do të bëheni edhe ju pre e mashtrimit më të shpeshtë telefonik. Por, që të mos bëheni pre e këtij mashtrimi kibernetik, paraqiteni menjëherë rastin tek operatori juaj telefonik, i cili do ta bllokojë numrin.
Mashtrimi në fakt e ka një emër dhe një origjinë. Në botë njihet si “Vangiri” dhe rrjedh nga Japonia.
Nëse ju jeni aq kuriozë dhe i përgjigjeni thirrjes edhe pse nuk e njihni prefiksin, atëherë ju automatikisht do të lidheni me të ashtuquajturat numra premium, të cilët kanë një qëllim, t’ju mbajnë sa më gjatë në linjë , e në fund harxhimi astronomik do ju faturohet ju në fund të muajit. Edhe MPB e ka të njohur rastin . Nga atje thonë se :
“Sektori për krim kompjuterik në MPB, është i njoftuar me rastin dhe është në kontakt me operatorët e shërbimeve për parandalimin, për mbrojtjen e qytetarëve. Njëkohësisht njoftojmë se në pjesën e kualitetit të shërbimeve që i ofrojnë operatorët dhe për mbrojtjen e qytetarëve përgjegjës janë vetëm operatorët.”,- thuhet nga MPB.
Por operatorët mund të bllokojnë numrat që identifikohen si pjesë e mashtrimit e për të mbrojtur veten, është mirë që të gjithë ju të mos i hapni numrat që nuk i njihni, nëse nuk doni që të çuditeni e të kapni kokën nga fatura në fund të muajit. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
