Maqedoni
Rasti “Llaskarca”, eksperti: Mburoja nuk ka mundur të ndalë mjetin
19.02.2020 15:32
Në seancën gjyqësore për rastin Llaskarca, ka dëshmuar eksperti i ndërtimtarisë për cilësinë e mburojës anësore të autostradës

Në seancën gjyqësore për rastin Llaskarca, ka dëshmuar eksperti i ndërtimtarisë për cilësinë e mburojës anësore të autostradës, pikërisht ku ka ndodhur tragjedia në aksin Shkup -Tetovë. Ai sqaroi se me ndihmën e Fakultetit të Makinerisë kanë ekzaminuar veçoritë gjeometrike dhe përbërjen kimike të atij llojit të metalit elastik.
“Përbërja kimike e mburojave anësore ishte në përputhje me standardet e kohës, me përjashtim të vidës që shërbente për mbajtjen e pjesëve, ishte me një cilësi pak më të dobët.”,- ka deklaruar eksperti i ndërtimtarisë.
Sipas tij, ekspertët nga të gjitha analizat e bëra, edhe nëse nuk do të kishte lëshime, mburoja nuk do të kishte mundësi të mbante autobusin. Mburoja anësore e autostradës ishte i prodhuar në Bullgari teksa ishte vendosur në vitin 2000.
“Prodhuesi i ka testuar ato në laboratorin e vet. Testimet ia ka kryer ndërmarrja “Pernik” në Bullgari, pasi në atë periudhë në vendin tonë nuk ka pasur laboratorë të tillë dhe ato janë pranuar nga prodhuesi.”,- ka sqaruar eksperti.
Në fatkeqësinë e autobusit të “Durmo-Turs”, më 13 shkurt të vitit të kaluar, jetën e humbën 16 persona, ndërsa mbi 35 kaluan me lëndime të rënda. Pronari i “Durmo-Tours”, Durmish Beluli, përgjegjësi i transportit, Ramiz Miftari, dhe shoferi i autobusit, Manoel Trifunovski, akuzohen për kryerje të veprës së rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa tre punonjësit në Stacionin e Inspektimit Teknik të Igor Gjorgjievskit, Goran Dukovskit dhe Jane Bovarskit për pjesëmarrje në vepër.
NAIM RAMADANI
