Maqedoni
KNPK kontroll projekteve në kulturë, Ismaili: Ka pasur edhe lëshime, por kërkuam cilësi
19.02.2020 16:56
Pas vërejtjeve për përkrahje me nga 150 euro të librave të funksionarit të LSDM-së, Gjorgji Spasov...

Pas vërejtjeve për përkrahje me nga 150 euro të librave të funksionarit të LSDM-së, Gjorgji Spasov, dhe deputetit, Zeqir Ramcilloviç, dhe projektit të ish ambasadorit të RMV-së në NATO, Nano Ruzhin, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do të shqyrtojë kriteret për shpërndarjen e parave të programit vjetor të Ministrisë së Kulturës.
Nga ky institucion ditë më parë konstatuan se, edhe pas skandaleve të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës nuk i ka implementuar rekomandimet e tyre për ndryshimin e kritereve për shpërndarjen e parave. I pyetur për këto vërejtje, ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, pranon se mund të ketë pasur lëshime, por thotë se përzgjedhjen e kanë bërë ekspertët që janë zgjedhur në komisionet e veçanta.
“Ishte një kontradiktë për shkak se vetë mandej ajo zonja thoshte se cilësia është një kategori që nuk matet, prandaj ne për këtë shkak duke e ditur para se t’i formojmë komisionet, tentuam që në këto komisione të jenë profesionistë të lëmive përkatëse dhe vetëm ata të mund ta bëjnë vlerësimin e cilësive dhe mendojmë se mungesa ka pasur, gabime lëshime, p.sh. për shkaqe teknike nuk ka kaluar libri i Luan Starovës dhe është shumë e qartë se një akademik, por është një lëshim pa dashje.”,- deklaroi ministri i Kulturës, Hysni Ismaili.
Ministria e Kulturës ka shpërndarë rreth 6.5 milion euro për projekte të ndryshme të interesit nacional në sferën e kulturës. Afati për ankesë kundër vendimeve është 15 ditë nga shpallja e tyre. Deklaratën ministri Ismaili e dha gjatë vizitës në ITKSHSHM, ku u njoh me projektet e realizuara nga instituti, disa prej të cilave të përkrahura financiarisht nga Ministria e Kulturës.
FLUTURA LATIFI
