Maqedoni
Rinovohet Sh. F. “Imri Elezi”, kushte më të mira për arsimim më cilësor
19.02.2020 17:13
Shkolla Fillore “Imri Elezi” në Çair, është një ndër shkollat fituese e projektit të USAID-it për Integrim Ndëretnik të të Rinjve në Arsim....

Me mbështetjen financiare të Komandës Evropiane të SHBA-së (EUKOM), u vendosën dyer të reja dhe u rinovuan muret e korridoreve. Nga Drejtoria e shkollës thonë se ky projekt ka mundësuar ngritjen e cilësisë. Për ngritjen e cilësisë angazhohen edhe autoritetet lokale e qendrore.
“Aplikimi dhe përzgjedhja e shkollës tonë në projektin e USAID-it për integrimin ndëretnik të të rinjve në arsim të komponentës 3 stimulim për rinovim, mundësoi që me punën tonë vullnetare, me angazhimin tonë profesional, të përmirësojmë kushtet dhe ngritjen e kualitetit të shkollës.”,- tha drejtoresha e SH. F. “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.
“Është investimi më i mirë të cilin ne mund ta bëjmë si shtet, është investimi më i mirë që ne mund ta bëjmë si shoqëri, duke pasur parasysh se zhvillimi i gjithëmbarshëm shoqëror dhe ekonomik varet nga cilësia në arsimit.”,- theksoi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
“Për të gjithë kategoritë e nxënësve investojmë njëjtë dhe këtë ne duhet çdoherë ta përkëdhelim, të investojmë në atë dhe këtë rrugë që e kemi nisur në kontinuitet ta vazhdojmë.”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Përfaqësuesit amerikanë porositën se tani është koha që të rinjtë të bëjnë krenarë ata që investojnë për të ardhmen e tyre, duke mësuar.
“Këtu ju e keni punën më të rëndë, shpresoj se tani kushtet janë përmirësuar për të mirë. Fëmijë faleminderit për performacën, ju jeni ardhmëria. Por, tani është koha t’i ktheheni mësimit dhe të na bëni krenarë.”,- tha përfaqësuesi i Zyrës së ShBA-së për Bashkëpunim në Mbrojtje, Patrik Enrikez.
Vlera e projektit përfshin shumën prej 1.900.000 denarë nga USAID dhe pjesëmarrje të komunës me 2.000.000 denarë nga buxheti komunal si dhe sektori privat në mbi 50% të rinovimit. Projekti ka për qëllim integrimin e fëmijëve në shkolla dhe promovimin e diversitetit si vlerë e shoqërisë në përgjithësi dhe në institucionet arsimore në veçanti.
REJHANE BUSHI METAJ
