Maqedoni
Biseda e Zaevit për Boki 13, Milloshovski ia dorëzoi “bombën” Ruskovskës
19.02.2020 17:17
Transkripta dhe biseda telefonike që u publikua në Kuvend nga deputeti opozitar, Antonio Milloshoski...

Transkripta dhe biseda telefonike që u publikua në Kuvend nga deputeti opozitar, Antonio Milloshoski, tanimë janë në duart e prokurores, Villma Ruskovska. Milloshovski trankriptën dhe audio incizimin e ka marrë nga një informator, ndërsa thotë se bëhet fjalë për dëshmi se ish kryeministri, Zoran Zaev, e ka ditur se në çfarë mënyre është financuar televizionin 1TV, ku pronar joformal ishte i akuzuari i parë në rastin “Zhvatja”, Boki 13. Ai pasi ia dorëzoi audio-incizimin prokurores Ruskovska, tha se ka marrë premtime se materiali do të përdoret si dëshmi në rastin “Lidhja Ndërkombëtare”, ku të dyshuar janë Boki 13, babai i tij, si dhe Frosina Remenski.
“Bëmë procesverbal për materialin e dorëzuar dhe nga ajo që mu shpjegua nga prokurorja, Villma Ruskovska, është se këto materiale do t’i bashkëngjisë në hetimin për “Lidhja Ndërkombëtare”. Besoj se do t’ju hyjë në punë, pasi që edhe transkiripti edhe audio incizimi japin dyshim serioz se ish kryeministri Zaev gjatë kohë ka ditur për mënyrën e financimit joligjor të organizatës joqeveritare “Lidhja Ndërkombëtare”, madje, sipas transkriptit, ka ndihmuar në financimin e 1TV-së.”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Milloshovski thotë se do ishte më mirë që Ruskovska t’i bëjë thirrje Zaevit të japë sqarime për bisedën. Ai sqaroi se ka dorëzuar vetëm bisedën e lëshuar javën e kaluar në seancën e Komisionit Kuvendor, e nëse do t’i bien në dorë biseda të tjera, premtoi se do t’ua dorëzojë organeve kompetente. Dorëzimin e audio-incizimeve e konfirmoi edhe Prokuroria.
“Sot në Prokurorinë Publike Themelore për Përndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me kërkesën e tij, prokurorja Vilma Ruskovska e ka pranuar deputetin, Antonio Milloshoski. Në takim, Milloshoski dorëzoi audio material për të cilin pas përgjimit dhe analizimit të së njëjtit do të sillet vendim për përdorimin e mëtejmë të materialit.”,- thuhet në kumtesë.
LSDM: Milloshovski të gjejë avokatë, do t’i duhen
Nga LSDM porositin Milloshovskin të gjejë avokat, sepse do t’i nevojiten për të gjitha gënjeshtrat që i ka thënë në foltoren kuvendore.
“Unë jam i bindur që nuk bëhet fjalë për kompremitim të kryetarit të partisë. Bëhet fjalë për frikë dhe panik te ish kolegu, Antonio Milloshovski, pas sjelljes së Ligjit për Prokurorin Publike. Do të kisha porositur që në vend që të tentojë t’i manipulojë qytetarët le të gjejë avokatë të mirë, sepse do t’i duhen.”,- u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Megjithatë, Kostadinov e përshëndeti faktin që Milloshovski i dorëzoi materialet deri te Prokuroria.
SANIJE DURAKU
