Maqedoni
Dimitrov në Spanjë: Ratifikimi çështje ditësh, përmbyllim një kapitull
19.02.2020 17:30
Shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, mori mbështetjen e fuqishme të homologes së tij spanjolle, Arança Gonzales Laja....

Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Spanjës, Dimitrov falënderoi 29 vendet anëtare të NATO-s për mbështetjen dhënë RMV në këtë rrugëtim dhe përkujtoi homologen spanjolle se presin vetëm vendimin e tyre. U diskutua edhe për procesin eurointegrues të vendit.
“Në rrugën e anëtarësimit në NATO na ka mbetur vetëm ratifikimi në vendit tuaj, që është një formalitet dhe me këtë po përmbyllim këtë kapitull, ndërsa për sa i përket integrimit në BE, jemi në pritje të marrjes së datës për fillimin e bisedimeve. Mezi po pres momentin kur flamuri i vendit tim do të ngrihet lartë para selis së NATO-s në Bruksel dhe kur do të bëhemi anëtarja e 30 e NATO-s. Kishim bisedë intensive edhe rreth rrugës euroatlantike të vendit tonë. Ndoshta tash për momentin nuk jemi të gatshëm të bëhemi menjëherë anëtare e BE-së, por jemi të gatshëm që t’i fillojmë bisedimet për anëtarësim që do të shërbejë si mekanizëm i fuqishëm për ta reformuar shtetin.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Ministrja, Gonzales Laja, konfirmoi se ratifikimi është vetëm çështje ditësh dhe në çdo moment i njëjti mund të gjendet para deputeteve të Kuvendit. Në kuadër të vizitës në Madrid, ministri Dimitrov u takua edhe me kryetarin e Dhomës së ulët të Parlamentit spanjoll, Meriçel Batet.
FITIM KRYEZIU
