Maqedoni

KShZ përshtatet konform ndryshimeve në KZ. 540 milionë denarë për organizimin e zgjedhjeve

19.02.2020 17:48

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka në dispozicion 540 milionë denarë për të organizuar....

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka në dispozicion 540 milionë denarë për të organizuar dhe realizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Konform ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, në këtë shumë përfshihet edhe prezantimi i paguar mediak i kandidatëve, që sipas kreut të KSHZ-së, Oliver Derkoskit, mund të kushtojë rreth 3.6 milionë euro. Gjithsesi, Derkoski konsideron se buxheti i paraparë për mbajtjen e zgjedhjeve është më se i mjaftueshëm.    
 
 “Për këto zgjedhje kemi 540 milionë denarë në dispozicion. Aty janë edhe këto 3.600 mijë euro, të tjerat janë për aktivitetet e tjera të Komisionit për këto vendime që morëm më herët, që të paguhen këto 35000 njerëz, për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në diasporë, furnizimi me fletë votime etj... Ju garantoj se nuk do të harxhohen të gjitha mjetet.”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.
 
KSHZ ftoi mediat që duan të reklamojnë garuesit në zgjedhjet parlamentare, të paraqiten në KSHZ dhe të ofrojnë çmimoret, pasi konform ndryshimeve, mediat që nuk do të paraqiten nuk mund ta afrojnë këtë shërbim, por as garuesit nuk do të mund të paguajnë reklama me buxhet vetanak.
 
“I ftoj që të shfrytëzojnë mundësinë, sepse bëhet fjalë për mundësi për shfrytëzim të parave buxhetore. Gjithashtu në të njëjtin nen qëndron ndalesa për reklamim me mjete të vetë kandidatëve. D.m.th. nuk mund të reklamojnë nëse ndonjë kandidat kërkon që t’i paguajë me para të veta.”,- tha kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.
 
Veç fushatës mediatike, ndryshimet e reja parashohin edhe lehtësime të tjera për garuesit. Përkatësisht gjithë dokumentacionin e nevojshëm për kandidatët e paraqitur do t’i sigurojë vetë KShZ. 
 
“Pas dorëzimit të listave të kandidatëve, risi është se KSHZ obligohet që të sigurojë të gjitha dokumentet e nevojshme si të dhëna për të kandidatët në listat e kandidatëve, ndërsa institucionet kompetente duhet t’i përgjigjen KSHZ-së brenda 24 orëve dhe të dorëzojnë certifikatë për shtetësi dhe mosdënim, etj...”,- u shpreh kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.
 
Risi tjetër në Kodin Zgjedhor është edhe mënyra e identifikimit të votuesve në vendvotim. Pretendohet të mënjanohet ngjyra dhe llamba ultravjollcë, por kjo risi në këto zgjedhje do të zbatohet pjesërisht. Sa i takon organizimit të zgjedhjeve në diasporë, nuk ka ndryshime. Ato do të organizohen nëse plotësohet kushti ligjor, e që varet nga interesimi i diasporës për të votuar. 
 
SHPËTIM NUREDINI