Maqedoni

Rasti "Monstra", dëshmuan Jankullovska dhe Todorovski. Aziri: Më detyruan të them të pavërteta

19.02.2020 18:27

Ndonëse në atmosferë tensionuar, dy ish funksionarë të lartë dëshmuan për rastin "Monstra"...

Ish ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, shpjegoi se si u informua rreth rastit, por mohoi se vrasja ka pasur skenar të parapërgatitur.
 
Ajo nuk u përgjigj në pyetje konkrete lidhur me dëshmitë, pasi që, siç tha, ministri merr dokumente nga rezultate të gatshme operative dhe nuk i përpunon ato.
 
“Nuk ka pasur informacion paraprak se mund të ndodhë një skenar i tillë.",- tha Jankullovska. 
 
I akuzuari, Fejzi Aziri, insistonte se Jankullovska në bisedat telefonike ka biseduar për rezultate të analizave nga vetura “Opel Omega” akoma pa u realizuar ekspertiza.
 
Por, Jankullovska thotë se bëhet fjalë për ndodhi të para 8 viteve dhe nuk mund të kujtohet në data.
 
Haki Aziri ndërkohë akuzoi dëshmitarin, Lupço Todorovski, drejtor në Byronë për siguri publike në vitin 2012,  se e ka mësuar si të veprojë para gjykatësit hetues me arsyetimin se do t’i mbulohet identiteti. Një konstatim të tillë dëshmitari e mohoi. 
 
"Si drejtor nuk marr në pyetje të dyshuar. Nuk ka shanse, unë dikë të keqtrajtoj, sepse pozita ime atë nuk ma lejon". 
 
Aziri rikëmbëngul se është mësuar e kanë detyruar të thotë të pavërteta dhe nuk ka lidhje me rastin.
 
“Po Todorovski, qysh atëherë unë e përmenda këtë që e them tani. Më  detyruan ta them atë që e thashë, ndërsa ai më dha ofertë të shkoj në gjykatë, se gjykata dhe prokuroria janë tonat dhe ka program për ndërrimin e identitetit. Nuk e di në cilën zyrë në MPB. Unë para tij mohoja se ka pasur maltretime, por në gjykatë ishte plot me shërbime policore dhe nuk kisha siguri deri sa nuk dola para gazetarëve. Versioni im ka qenë dhe mbetet se nuk kam lidhje me rastin.”,- tha i akuzuari, Haki Aziri.
 
Për mbrojtjen e palës së dëmtuar, asnjë nga dëshmitë nuk do të ndryshonte vijueshmërinë e procedurës paraprake. 
 
“Tregoi se një gjë të tillë nuk ka pasur. Së pari nuk ka marrë askënd në pyetje sepse nuk ka qenë kompetencë e tij, e dyta nuk i ka parë dhe nuk i njeh të akuzuarit prezentë dhe askujt nuk i ka dhënë asgjë të shkruar se në çfarë mënyre të dëshmojë. Nga dëshmitarja Jankullovska nuk kishte diçka konkrete, plotësuese, të sqarohet diçka që do të ndryshojë vijueshmërinë e hetimit.”,- tha avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.
 
Rreth konstatimeve dhe ndodhive të fundit në gjykatë, prokurorja Fetai nuk deshi të përgjigjet.
 
“Ishte ditë e gjatë, do të vazhdojmë të premten.”,- tha prokurorja publike, Fatime Fetai.
 
Në gjykimin të premten duhet të dëshmojnë ish ministri i brendshëm, Xhelal Bajrami, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI