Maqedoni
Çfarë fushate zgjedhore na pret? VMRO-DPMNE: LSDM përcaktoi rregullat e lojës. LSDM: Me akuza e lajme të rreme, nuk mbulohen krimet
19.02.2020 18:53
Fushata zgjedhore ende nuk ka filluar zyrtarisht, por parashikimet se si ajo do jetë, janë të zymta...

Fushata zgjedhore ende nuk ka filluar zyrtarisht, por parashikimet se si ajo do jetë, janë të zymta, madje vijnë nga vetë partitë politike.
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, në një paraqitje televizive u shpreh i sigurt se fushata zgjedhore para nesh, do jetë ndër më të ndyrat në historinë e vendit. VMRO-DPMNE pajtohen tërësisht me këtë deklaratë por thonë se fushatë të ndyrë po bën pikërisht pushteti, pasi i njëjti ka mekanizmat për të bërë fushatë të zezë.
Mos respektimi i Qeverisë teknike në bazë të marrëveshjes së Përzhinës, punësimet partiake dhe zhvatja janë dëshmi kryesore për këtë thonë nga opozita maqedonase.
“Opozita ka dy ministri, njëri u shkarkua. Sipas asaj logjike mund t’i kishin shkarkuar edhe ministrat dhe zëvendësministrat tjerë, kurse të njëjtën do të mund ta kishte bërë edhe VMRO kur ishte në pushtet. E dyta, ministrit të MPB-së, Nake Çulev, i është bllokuar tërësisht puna në MPB. Të gjithë emërimet që i bëri Nake Çulev në horizontale u shfuqizuan. Mbi 15 mijë punësime u hapën gjatë këtyre dy muajve, në kushte të qeverisë teknike, kur të gjithë e dinë se kur është data e zgjedhjeve. Të dhëna për zhvatje ka çdo ditë.”,- deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
Por, sipas LSDM-së, kryeministri teknik vetëm se ka theksuar një gjendje faktike. Sipas social-demokratëve, VMRO nëpërmjet lajmeve të rreme dhe fushatës së zezë po tenton të shpëtojë veten nga krimet e bëra.
“VMRO-DPMNE në përpjekje t’i shpëtojë krimit, po tenton që përmes lajmeve të rreme, përmes kampanjës së fuqishme negative, e cila është në mënyrë strikte e drejtuar nga LSDM dhe anëtarësisë tonë, të fitojë pikë politike. Unë jam i bindur se asnjë fushatë e zezë, asnjë lajm i rremë apo manipulim nuk do t’i shpëtojë nga përgjegjësia për krimet që i kanë bërë për 11 vite.”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Konstadin Konstadinov.
Nga LSDM bënë thirrje për qetësi gjatë fushatës parazgjedhore, duke thënë se këto zgjedhje janë me rëndësi të madhe për vendin.
ERSAN PAJAZITI
