Gjermani, 8 të vdekur nga sulmi me armë në dy lokale

20.02.2020 09:56

Të paktën 8 persona kanë mbetur të vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur...

Të paktën 8 persona kanë mbetur të vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në dy lokale të ndryshme në Hanau të Gjermanisë.

Mediat raportojnë se një person i armatosur hapi zjarr mbrëm rreth orës 22:00. Autori i krimit raportohet se hapi zjarr në lokalin e parë të shishave në qendër të qytetit Hanau, duke vrarë 3 persona.

Pak më vonë, ai udhëtoi në lagjen Kesselstadt ku përsëri në një tjetër bar me shisha, vrau 5 persona.

Sipas mediave lokale, mes viktimave ka edhe persona kurdë. Autori i dyshuar i ngjarjes u gjet më vonë i vdekur në banesën e tij, bashkë me trupin e pajetë të një personi tjetër.

Autoritetet gjermane thonë se autori ka vepruar i vetëm, megjithatë hetimet vazhdojnë. Ndërsa motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

Kryetari i komunës Hanau, Socialdemokrati Claus Kaminsky tha se kjo ishte një natë e tmerrshme.

“Kjo ishte një mbrëmje e tmerrshme me të cilën jam i sigurt se do të merremi me dhe kujtojmë me trishtim për një kohë të gjatë” tha ai.