BDI ende nuk i ka gati listat e deputetëve
BDI po përgatitet për zgjedhjet e 12 prillit....

BDI po përgatitet për zgjedhjet e 12 prillit, por ende nuk ka vendosur për emrat e kandidatëve në listat zgjedhore. Për momentin po konsultohen degët dhe nëndegët e partisë.
Ademi: Ende bëhen analiza, në lista më të mirët
Nga BDI thonë pasi të marrin propozimet e degëve dhe të bëhet edhe analiza e hulumtimeve të mendimit të opinionit publik, vetëm atëherë do të dilet me emrat përfundimtarë.
“Do t’i ofrojmë kandidatët më të mirë të mundur të cilët në mënyrë dinjitoze do t’i përfaqësojnë interesat e votuesve shqiptarë.”,- tha Arbër Ademi nga BDI.
Presim fushatë korrekte dhe demokratike
BDI nuk pret fushatë të tensionuar, siç deklaruan ditët e fundit partitë e bllokut maqedonas. Ademi thotë se gjithçka rrjedh në rregull edhe në marrëdhëniet me partnerin e koalicionit.
“Ne presim të kemi një fushatë të lirë, korrekte, demokratike e të qetë. Nuk ka kurrfarë prishjesh raporte në koalicionin qeverisës. Siç e dini, Parlamenti tanimë është shpërbërë dhe partitë politike po i zhvillojnë aktivitetet e tyre partiake që të organizohen sa më mirë në prag të zgjedhjeve të caktuara për më 12 prill.”,- tha Arbër Ademi nga BDI.
Veting gjithëpërfshirës, politikanë të pastër
Edhe pse në prag të fushatës janë shtuar akuzat kundër funksionarëve të caktuar të BDI-së, Ademi përkujton se janë tentime për përfitim pikësh politike duke përbaltur kundërshtarin. Por, ai përkujton se BDI është parti e cila në vazhdimësi angazhohet për veting gjithëpërfshirës pikërisht për të siguruar që në jetën politike të performojnë figura të pastra. (Fitim Kryeziu, TVM2)
