Maqedoni

Universiteti “Nënë Tereza”, MASh: Mjetet për ndërtim ka dy vite që janë siguruar. Pagat në arsim janë rritur për mbi 21%

20.02.2020 16:04

Ndërtimi i kampusit universitar “Nënë Tereza” do të fillojë menjëherë pasi të kryhet plani detal urbanistik...

Ndërtimi i kampusit universitar “Nënë Tereza” do të fillojë menjëherë pasi të kryhet plani detal urbanistik, theksoi ministri Arbër Ademi.
 
Ai tha se të hollat për ndërtimin e universitetit ka dy vite që janë siguruar, por edhe këtë vit dhe objektet janë bartur në pronësi në kuadër të kazermës “Ilinden” - Universitetit “Nënë Tereza”. 
 
“Në momentin që kryhet plani detal urbanistik nuk ka pengesa, sepse në planin për furnizime publike të Universitetit “Nënë Tereza”, por edhe të Ministrisë së Arsimit, janë paraparë të holla përpara se të shpërbëhet parlamenti dhe përpara se të merret vendimi që të shkohet në zgjedhje. Kështu që në aspektin ligjor unë uroj që sa më shpejtë të kryet plani urbanistik nëse sot kryhet plani urbanistik të nesërmit mund të shpallet furnizimi publik.”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, gjithashtu tha se  pagat në arsim janë rritur për mbi 21%.
 
“Brenda një periudhe dyvjeçare pagat e mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme janë rritur për mbi 21%. Kjo është një rritje historike dhe ne mburremi për këtë fakt.”,- tha Ademi.
 
Ademi tha që janë rritur edhe pagat për punonjësit e institucioneve të arsimit të lartë për 5% dhe së shpejti, pas gjetjes së një zgjidhjeje juridike, të njëjtit do të kenë rritje të pagës edhe për 10%, çështje kjo që tashmë është dakorduar.
 
Edhe pagat e punonjësve në institutet shkencore janë rritur për mbi 30%.
 
REJHANE BUSHI METAJ