Maqedoni

Rritet numri i personave me grip, mjekët: Për 1 ose 2 javë pritet të ulet numri. Ademi: S’kemi marrë masa, jemi në kontakt

20.02.2020 16:55

Numri i personave të sëmurë me grip në vend po rritet. Gjatë kësaj jave, numri ka shkuar në 5660 të infektuar...

Numri i personave të sëmurë me grip në vend po rritet. Gjatë kësaj jave, numri ka shkuar në 5660 të infektuar, që është afër 74 për qind më shumë se javën e kaluar.
 
Janë vërtetuar tipat e viruseve me influencë A dhe B. Personat me grip më tepër janë të moshës nga 15 deri në 64 vjet  si dhe nxënësit  e moshës 15 vjeçare, thonë epidemiologët.
 
Ata presin që për një ose dy javë të ulet numri i personave me grip. Ndërsa Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ende nuk ka vendosur nëse shkollat do të mbyllen shkaku i rritjes së numrit të të sëmurëve me grip.
 
“Për këtë periudhë të vitit është pritur të kemi rritje të të sëmurëve me grip dhe ky trend do të vazhdojë edhe për një ose dy javë dhe më pas pritet të stabilizohet gjendja dhe të ulet numri i të sëmurëve. Nuk mund të flas në emër të Komisionit, pritet të vendosin dhe nëse vendosin. Në vitin 2016 kemi pasur gjatë një jave 8 deri në 9 mijë të sëmurë me grip dhe nuk ishte sjellë masë e tillë për këtë periudhë.”,- deklaroi epidemiologia, Gordana Kuzmanovska.
 
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, tha se ende nuk kanë marrë masa konkrete lidhje me ndërprerjen e procesit arsimor dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet kompetente shëndetësore.
 
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe në përputhje me rrethanat e krijuara të cilat konstatohen nga institucionet dhe trupat përkatës, ne si ministri do të marrin qëndrime dhe vendime të mëtutjeshme sa i përket vendimit, sa i përket vetorganizimit të procesit arsimor në arsimin fillor dhe të mesëm.”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Në Klinikën për Sëmundje Infektive për momentin janë 36 pacientë të hospitalizuar me grip dhe njëri prej tyre është në kujdesin intensiv.
 
24 fëmijë janë në Klinikën e Fëmijëve. Askush nuk është në rrezik për jetën.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI