Maqedoni
Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, Sela: Kemi probleme me përdorimin e drejtë të gjuhës
20.02.2020 17:14
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e gjeti Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve me plot probleme...

Numri një i kësaj Agjencie, Ylber Sela, thotë se edhe përkundër faktit që tani më janë të gatshëm për punë, ende mund të hasen gabime të shumta gjuhësore nëpër mbishkrime, memorandume, vula apo edhe ueb-faqet e tyre.
Ai thotë se ende ka shume institucione të cilat nuk konsultohen aspak me Agjencinë sa i përket përdorimit të drejt të gjuhës shqipe. Në kuadër të kësaj dite Sela ka disa mesazhe.
“Gjuha nuk mësohet në institucione, por në shkolla dhe është shumë e rëndësishme që mësuesit, profesorët të jenë njerëz më të aftë dhe me nota të larta dhe këta njerëz duhet të përzgjidhen nga merita, jo nga ndikimi politik, sepse mandej do të kemi nxënës, studentë të dobët të cilët nuk do ta njohin gjuhën shqipe ashtu siç duhet. Nga ana tjetër ne kemi përkthyes dhe lektorë, por nuk kanë aspak praktikë. Ndërsa ato gabime të cilat i hasni ju, që edhe ne i shohim në media, janë institucione që nuk kanë kërkuar ndihmë nga ne dhe shpeshherë u kemi bërë thirrje që të mos ndodhin gabime të tilla, që mos të përdhoset gjuha shqipe.”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për Zbatimin Gjuhëve, Ylber Sela.
Sela thotë se Agjencia nuk ka mekanizëm ndëshkues dhe institucionet e përdorin momentin që Inspektoratit të Gjuhëve i duhet kohë për të punësuar dhe për të trajnuar inspektorë. Por, ka edhe të atillë që nuk kanë vullnet.
“Këtë periudhë e shfrytëzojnë dhe e dinë që nuk do të ketë dënime, por ne jetojmë në Ballkan dhe e dimë që nëse nuk dënohet një udhëheqës institucioni, por ka edhe të atillë që nuk kanë vullnet, ka stereotipa, ka elemente të ndryshme, por mua më shqetëson fakti tek udhëheqësit shqiptarë. Ka institucione ku udhëhiqet nga shqiptarët dhe bëjnë probleme të tilla, ose ende ueb faqja është në gjuhën maqedonase.”,- tha drejtori i Agjencisë për Zbatimin Gjuhëve, Ylber Sela.
Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve është e gatshme t’u dalë në ndihmë institucioneve, vetëm se ata duhet të kërkojnë një gjë të tillë.
SANIJE DURAKU
