Maqedoni
VMRO-DPMNE: Shekerinska ka dëmtuar buxhetin 250.000 euro. Ministria e Mbrojtjes: Janë respektuar të gjitha procedurat
20.02.2020 17:32
VMRO-DPMNE-ja opozitare ka akuzuar ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska...

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka akuzuar ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, se është e përfshirë në një tender për blerjen e dy makinave të rënda për nevojat e Armatës dhe ka dëmtuar kështu buxhetin e shtetit mbi 250.000 euro.
“Radmilla Shekerinska si ministre në Ministrinë e Mbrojtjes nëpërmjet furnizimit publik ka blerë 2 makina të rënda për nevojat e Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë me vlerë prej 464.853 euro, përkatësisht një makinë e tillë ka vlerë 232,426 euro. Makinat janë siguruar nga ndërmarrja serbe “Korkovado”, përndryshe bëhet fjalë për makina të prodhuara në Kinë. Kështu Radmilla Shekerinska ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Maqedonisë mbi 250,000 euro.”,- tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Në sqarimin e Ministrisë së Mbrojtjes midis tjerash thuhet: “Lajmet e rreme nuk kalojnë. Makinat për të cilat nënkryetari i VMRO-DPMNE-së foli nën presionin e nervozizmit gjatë një përballje televizive janë blerë me tender publik, me ç’rast janë respektuar të gjitha dispozitat ligjore. Ai lloj i makinave karakterizohet me një gamë të gjerë të karakteristikave teknike, fuqinë e motorit, pajisjeve shtesë, efikasitetit, madhësisë dhe në bazë të kësaj formohen edhe çmimet.”,- shkruan në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga tre opsionet është zgjedhur oferta më e mirë dhe nuk ka pasur vërejtje nga ofertuesit e tjerë, shkruan në reagim.
NAIM RAMADANI
