Maqedoni
Ademi: Brenda vitit do të bëhet zyrtarizimi i emrave të shkollave të Çairit
06.10.2014 16:46
Emërtimi i shkollave të Çairit në shqip do të bëhet brenda këtij viti. Premtimin e ka dhënë nga Tirana ministri i Arsimit i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi...

Emërtimi i shkollave të Çairit në shqip do të bëhet brenda këtij viti. Premtimin e ka dhënë nga Tirana ministri i Arsimit i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, i cili për mikrofonin e MTV2 thotë se çfarë e ka mbajtur peng emërtimin e këtyre shkollave deri më tani.
Sipas tij, duhet rënë dakord me palën maqedonase, në mënyrë që reagimet negative që mund të vijnë nga një gjë e tillë, të jenë sa më minimale.
“Vendimet që merren në MASH janë vendime të rëndësishme, të cilat nuk guxojnë të kenë impakt në marrëdhëniet nderetnike. Vendimi do të merret në momentin që të gjithë palët do të konsiderojnë se do të shkaktojë lëndime minimale, do të bëhet shpejt, nuk do të zgjasë shumë, jo më vonë se fundi i këtij viti”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ademi ishte i pranishëm në konferencën e Nivelit të Lartë “Aftësi për të Ardhmen – Evropa Juglindore dhe Turqia”.
Pas kësaj konference, Ademi tha se synohet që numri i nxënësve që zgjedhin shkollat profesionale të jetë sa më i lartë.
Kjo, sipas tij, do të ndikojë në rritjen e aftësisë për punë dhe si rezultat edhe në rritjen e punësimit në Maqedoni.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të ministrive të Arsimit edhe nga Mali i Zi, Kosova dhe Turqia.
LULJETA NDOKA
