Botë

KB: Në mes të dimrit në Sirinë veriperëndimore 170.000 persona jetojnë nën qiell të hapur

20.02.2020 22:01

Rreth 170.000 nga gjithsej 900.000 civilë, të cilët ishin të detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre në Sirinë veriperëndimore...

Rreth 170.000 nga gjithsej 900.000 civilë, të cilët ishin të detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre në Sirinë veriperëndimore, në këtë moment jetojnë nën qiell të hapur, kumtuan nga KB-ja.
 
Shpërngulja më e madhe pas luftës qytetare në Siri, që filloi para rreth nëntë viteve, vjen në mes të dimrit, kur temperaturat shpesh herë bie nën zeron, ndërsa bora mbulon disa rajone në këtë pjesë të vendit.
 
“Kushtet e vrazhda dimërore në mënyrë shtesë i përkeqësojnë vuajtjet e këtyre njerëzve të vuajtur, të cilët kanë ikur nga shtëpitë e tyre që të shmangin dhunë, ndërsa shumica prej tyre disa herë janë shpërngulur në këto nëntë vite nga konflikti”, thuhet në kumtesën e Kombeve të Bashkuara.
 
Në raportin e tyre të fundit, Shërbimi i KB-së për koordinim me çështje humanitare kumtoi se rreth një e pesta e personave të sapozhvendosur jetojnë në kushte jonjerëzore.
 
Pothuaj 170.000 nga personat e sapozhvendosur pritet të jetojnë nën qiell të hapur ose në objekte të papërfunduara”, thuhet në kumtesë.
 
Këshilli i Sigurimit të KB-së të mërkurën befasisht me veto të Rusisë e bllokoi rezolutën, e cila insistonte në armëpushim në Sirinë veriperëndimore.
 
KB-ja i bëri thirrje Turqisë që të pranojë më shumë refugjatë, me argument se urgjenca është më se nevojshme.
 
Turqia, ku janë vendosur numri më i madh i refugjatëve në botë – rreth 3,6 milionë – dëshiron të shmang valë të re të refugjatëve./mia