Maqedoni

Gjykimi i të akuzuarve për “27 prillin”, shtyhet seanca gjyqësore për më 26 shkurt

21.02.2020 15:00

Gjykimi për të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve të dhunshme më 27 prill në Kuvend është anuluar për më 26 shkurt...

Gjykimi u anulua me kërkesë të mbrojtjes, e cila kërkoi t’i mundësohet inspektimi i dëshmive të cilat nuk u janë dhënë nga procesi gjyqësor paraprak.
 
Pa këto dëshmi, të akuzuarit nuk kanë mundur të shprehen se a ndjehen fajtorë apo jo. Prokurorja Ruskoska vlerëson se ka tentim për stërzgjatje të procesit, për shkak se të gjitha dëshmitë u janë dorëzuar të akuzuarve.
 
“Me këto parashtresa të cilat i dorëzuan kanë kërkuar rreth 300 dëshmitarë, secili prej tyre. Ashtu që vlerësoj se gjykata në mënyrë absolute nuk duhet t’i pranojë të gjithë dëshmitarët, normalisht pa cenuar të drejtën e mbrojtjes.”,- tha kryeprokurorja e Prokurorisë për Krim të Organizuar, Villma Ruskovska.
 
Mbrojtja mohoi pohimet e Ruskoskës se kanë propozuar rreth 300 dëshmitarë për të akuzuarit. Avokati mbrojtës i ish-drejtorit të DSK-së Vlladimir Atanasovskit, Jordan Apostollski, tha se në mesin e të akuzuarve ka persona të punësuar në DSK, të cilët e dinë se kush janë organizatorët e vërtetë, që sipas tij Prokuroria po mundohet t’i fshehë. 
 
“Prokuroria nuk bëri përpjekje për t’i vërtetuar fajtorët e vërtetë, kurse bëri përpjekje vetëm për t’i fshehur dhe të gjejë disa persona tjerë që në histori të shkruhen këto persona si organizatorë.”,- tha avokati mbrojtës, Jordan Apostollski.
 
Në bankën e të akuzuarve për organizim të dhunës së 27 prillit në Kuvend u ulën ish-kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, ish-ministrat, Mile Janakievski, Spiro Ristovski dhe ish drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski.
 
ERSAN PAJAZITI