Maqedoni
Sela: 50% e institucioneve nuk aplikojnë gjuhën shqipe. Memushaj: Të formohet një këshill gjuhësor. Hoxhaj: Kosova, shembull i politikave gjuhësore
21.02.2020 15:55
Mbi 50 për qind e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike nuk merren me çështjen e aplikimit të gjuhës shqipe...

Mbi 50 për qind e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike nuk merren me çështjen e aplikimit të gjuhës shqipe edhe pse ligji garanton një gjë të tillë.
Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela, thotë se jo vetëm që hasen shumë gabime gjuhësore në mbishkrime, tabela, memorandum etj, por edhe rekomandimi i Qeverisë që çdo institucion të punësojë të paktën një lektor, nuk është respektuar.
“Institucionet ne RMV duhet të pranojnë përkthyes dhe lektorë, sepse, siç e shohim, ka shumë gabime drejtshkrimore dhe nuk janë të përkthyera shumë elemente dhe vjen deri te diskriminimi i qytetarëve. Ky është edhe rekomandimi i Qeverisë që duhet të pranohen përkthyes nëpër institucione, kurse Agjencia do të jetë si organ qendror që do të bashkëpunojë me ata përkthyes dhe lektorë që janë nëpër institucione dhe do të fillojë me fazën e trajnimit, sepse një pjesë e tyre nuk kanë përvojë.”,- tha drejtori i Agjencisë për Zbatimin Gjuhëve, Ylber Sela.
Gjuhëtari nga Shqipëria, Rami Memushaj, është i mendimit se trekëndëshi Shqipëri – Kosovë - Maqedonia e Veriut, duhet të formojë një Këshill Gjuhësor, i cili do të merret me përdorimin e gjuhës shqipe.
“Ne do të donim që Agjencia të bëhej nismëtarja e këtij Këshilli ndërshtetëror për Gjuhën Shqipe, duke e mbuluar zyrtarisht krahun e këtushëm të shqiptarëve. Alfabeti i njësuar prej këtej na erdhi dhe prej këtej edhe zgjimi nga gjumi i dy qeverive shqiptare, që të merren me shqipen, mos t’u lënë fushë të lirë veprimi individëve të qartun apo Akademisë së Prishtinës dhe asaj të Tiranës, të cilat në vend që të merren me problemet reale të shqipes, kanë 10 vjet që po përpiqen të bëjnë atë që publicisti Ardian Vebiu e quan “reformë agrare e drejtshkrimit.”,- tha gjuhëtari, Rami Memushaj.
Ish zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, thotë se Kosova është një model i mirë i politikave gjuhësore.
“Mendoj se vendi prej nga vij unë Kosova mund të jetë një shembull i mirë në zbatimin e politikave gjuhësore, duke pas parasysh proporcionin etnik që kanë komunitetet në Kosovë dhe hapësirën e madhe gjuhësore të cilën ne e ofrojmë për komunitete të ndryshme në Kosovë.”,- tha ish-kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, Xhelal Huxhik, thekson se me Ligjin e ri për Gjuhët, bashkësitë më të vogla nuk humbin asgjë, pasi atyre u mundësohet që t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre në komunat ku janë mbi 20 për qind.
SANIJE DURAKU
