Maqedoni
Rasti "Monstra", Ahmeti: Nuk ka shqiptarë që e bën këtë krim. Osmani: Me rëndësi procesi transparent gjyqësor. Bajrami: Jankullovska paraqiti qëndrim personal
21.02.2020 16:17
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në cilësinë e dëshmitarit për rastin “Monstra”...
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në cilësinë e dëshmitarit për rastin “Monstra”, tha se për këtë rast ka biseduar me shumë njerëz, pasi që kanë ndjerë shqetësim dhe përgjegjësi për menaxhimin e situatës dhe e njëjta të mos eskalojë.
Ai theksoi se ka pasur iniciativë që gjykimi për këtë rast të përsëritet, me qëllim që të zbardhet e vërteta që mos të ndodhë të akuzohen njerëz të pafajshëm dhe se opinioni nuk ishte i bindur se ka prova të mjaftueshme dhe bindëse për rastin. Ahmeti para trupit gjykues theksoi se është i mendimit se një krim të tillë shqiptarët nuk e kanë bërë.
"Nuk mendoj se ka shqiptarë që e bën këtë krim. Atë të gjithëve ua kam thënë se nëse e kanë bërë shqiptarët, me pështymë do t’i dënoj.",- tha Ahmeti.
Rastet si “Monstra” na kanë shtyrë që si parti të kërkojmë veting në gjyqësor,- tha Ahmeti. Ai gjithashtu tha se për rastin "Monstra" partia e tij ka paguar çmim të lartë politik, pasi e akuzojnë se janë të ndërlidhur me rastin, prandaj, si askush tjetër, dëshirojnë që të zbardhet e vërteta.
“Ne kemi kërkuar që ky proces të rigjykohet, sepse gjykatat e prokuroritë kanë qenë shumë të brishta. I tërë opinioni ishte në gjendje të pasqaruar si nga ato të cilët kishin humbur njerëzit e tyre në këtë rast tragjik, ashtu dhe nga ata që u dënuan dhe ne me forcë kemi kërkuar që ky gjykim të përsëritet me prova, me monitorim ndërkombëtar. Ne kemi dashur që e vërteta të dalë në sipërfaqe dhe të triumfojë drejtësia. Kështu mund të qetësohen ata të cilët kanë humbur, por jo me çdo kusht të instrumentalizohet fajtori, por ai që e ka bërë veprën ai të përgjigjet.”,- tha dëshmitari, Ali Ahmeti.
Dëshminë e tij për këtë rast e dha edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili theksoi se e rëndësishme për rastin është se gjykimi është transparent. Sipas tij, gjykimi i parë ishte jotransparent dhe e ngriti dyshimin e njerëzve për drejtësi selektive në baza etnike.
“Me rëndësi po shohim një proces transparent gjyqësor, një rigjykim që është kërkesë e të gjithëve, proces ku çdo fjalë po ndiqet nga mediat dhe ndërkombëtarët me qëllim të depolitizimit dhe deetnizimit të këtij procesi të sensibilizuar me qëllim të merret një vendim të pastrohen të gjitha dilemat në bazë të fakteve dhe argumenteve që do t’i pranojnë dhe të jenë të kënaqura të gjitha palët.”,- u shpreh dëshmitari, Bujar Osmani.
Ndërkohë ish-zëvendësministri i brendshëm, Xhelal Bajrami, tha se pres-konferencën e mbajtur më 1 maj të vitit 2012, pas aksionit policor dhe arrestimeve ish ministrja Jankullovska e ka realizuar jashtë marrëveshjeve paraprake. Motivi dhe akuza se bëhet fjalë për islamistë radikal kanë qenë qëndrim i saj personal, tha Bajrami.
"Marrëveshja ishte vetëm të informohet për aksionin dhe bastisjet dhe se disa prej tyre ndoshta janë edhe kryerës të veprës. Ajo deklaroi jashtë konceptit. Jankullovska doli me akuza të rënda dhe i gjykoi të dyshuarit. Pas asaj kishte situatë të tensionuar në ministri. Unë i thashë se ne nuk jemi organ që vërtetojmë fajësi, atë e bëjnë organet gjyqësore.",- tha Bajrami.
Avokatja e palës së dëmtuar thekson se dëshmitë e sotme nuk kanë ndonjë ndikim në procesin gjyqësor.
“Vlerësoj se e gjithë dëshmia e sotme nuk do të kontribuojë në ndërrimin e kahjes së ngjarjeve, pasi që deri sa politika ka ndikim në gjyqësor, pyesim nëse do të ketë drejtësi.”,- u shpreh avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.
Ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, ish zëvendëskryeministri për zbatimit e marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, ish ministri i drejtësisë dhe kryetari aktual i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, dhe ish komandanti i Njësisë “Alfa”, Sinisha Aleksovski, janë dëshmitarët e radhës të cilët do të duhet të tregojnë për njohuritë që kanë në lidhje vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.
FLORIJE BELULI KAMBERI
