Maqedoni
BDI: RMV meriton fillimin e bisedimeve me BE-në. Angazhim për drejtësi joselektive dhe veting
21.02.2020 16:33
Vendi ka realizuar shumë reforma, prandaj meriton çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, deklaruan nga BDI...

Nga kjo parti thonë se sundimi i ligjit mbetet ndër angazhimet si parakusht për drejtësi joselektive dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Plotësimi i tërësishëm i të gjitha kushteve reformuese, bashkë me ato politike, u konfirmua nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe prandaj vendi ynë meriton datën për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin mars. Ligjet duhet të gjejnë zbatim nga njerëz të përkushtuar në politikë, prokurori dhe në gjykata. Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të aplikimit të drejtësisë selektive nga prokuroria dhe gjykatat të cilat krijojnë percepsionin e padrejtësisë dhe korrupsionit në shtyllën kryesore për stabilitetin e vendit dhe sundimin e drejtësisë.”,- tha Agim Nuhiu nga BDI.
Nga kjo parti kanë kërkuar edhe rishqyrtimin e rasteve të kontestuara për opinionin.
“Kërkojmë nga institucionet gjyqësore që të rishqyrtojnë rastet e kontestuara në opinion e që kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e gjyqësorit, duke konstatuar zbatimin e drejtësisë selektive që destabilizon shoqërinë dhe pamundëson barazinë. Rigjykim transparent, monitorim ndërkombëtar dhe prezumim të pafajësisë, janë parakushte për rikthim të besueshmërisë ndaj gjyqësorit në rastet si “Monstra”, “Sopoti”, “Alfa”, “Almiri”, “Sazdo” dhe shumë të tjera.”,- u shpreh Agim Nuhiu nga BDI.
Për të ardhur deri tek drejtësia joselektive, BDI thekson nevojën për aplikimin e vetingut, që do të nënkuptonte kontrollin e dyfishtë të secilit politikan, prokuror dhe gjykatës.
NAIM RAMADANI
