Maqedoni

Instituti i Shëndetit Publik në RMV: Dy inxhinierë kinezë në karantinë 14-ditore. Karaxhovski: Në RMV do të vijnë edhe 50 shtetas kinezë

21.02.2020 17:07

Dy inxhinierët kinezë të cilët kanë ardhur në vendin tonë për punimet në autostradën Kërçovë-Ohër...

Dy inxhinierët kinezë të cilët kanë ardhur në vendin tonë për punimet në autostradën Kërçovë-Ohër, iu janë nënshtruar kontrolleve për virusin Korona – “Kovid 19” dhe kanë rezultuar se nuk janë të prekur nga virusi.
 
Megjithatë, ata janë vendosur në mbikëqyrje 14 ditore në fshatin Izvor të Kërçovës. 
 
“Personat janë të vendosur në fshatin Izvor të Kërçovës në barakë adekuate në izolim dhe Qendra për Shëndet Publik e Manastirit dhe ne si Institut për Shëndet Publik do të zbatojnë masat e mbikëqyrjes epidemiologjike. Pas marrjes së materialeve, rezultatet janë negative të “Kovid 19” të viruseve respiratore dhe influencë.”,- tha epidemiologu në Institutin për Shëndet Publik, Zharko Karaxhovski.
 
E njëjta praktikë do të zbatohet edhe te 50 kinezët tjerë të cilët do të vijnë për të punuar në autostradën Kërçovë-Ohër. Një pjesë e këtij grupi pritet të vijë javën e ardhshme. 
 
“Të gjithë personat që vijnë nga Kina, fillimisht do të jenë të vendosur në dhomën për izolim, aty do t’ju merret materiale për analiza mikro-biologjike, do t’u merren brisat, do të diagnostifikojmë se  a kanë COVID-19 dhe do të vendosen në mbikëqyrje 14 ditore në pajtueshmëri me rregullativat ligjore të lidhura me këtë sëmundje.”,- theksoi epidemiologu në Institutin për Shëndet Publik, Zharko Karaxhovski.
 
Karaxhovski gjithashtu informoi se shtetasi i Maqedonisë së Veriut, i cili është hospitalizuar, pasi u infektua me virusin Korona në portin e qytetit japonez Jokohama, është në gjendje të mirë shëndetësore.
 
Pas trajtimit trejavor ai pritet të dalë nga spitali. 
 
BELINDA KOKA ADEMI