Maqedoni
Osmani: Partitë fituese duhet të formojnë qeverinë. Sela: Duhet të vlejë parimi i fituesit me fituesin. Mickovski: Nuk vlen më parimi i fituesit me fituesin. Zaev: Për herë të parë koalicion me parti shqiptare. Ahmeti: Koalicioni LSDM-BESA-PDSh, irelevant
21.02.2020 17:25
Partia fituese në bllokun shqiptar duhet t’i përfaqësojë shqiptarët në qeveri. Kështu vlerëson zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani...

Partia fituese në bllokun shqiptar duhet t’i përfaqësojë shqiptarët në qeveri. Kështu vlerëson zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, sipas të cilit kështu duhet të jetë edhe pas zgjedhjeve të 12 prillit.
“Sistemi, pas Marrëveshjes së Ohrit, nuk njeh përfaqësim tjetër përveç të atyre që e përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve. Nëse fitojnë ato parti, kuptohet se ato do të jenë në Qeveri. Ai që do të fitojë te shqiptarët, ai do t’i përfaqësojë shqiptarët në Qeveri. Këtë çështje, për fat të keq ne e kemi kuptuar në mënyrën më të keqe të mundshme përmes përvojës. 2006-2008 na tregoi se shteti nuk mund të tolerojë një gjë të tillë edhe njëherë.”,- deklaroi Bujar Osmani nga BDI.
Edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, është për parimin fituesi me fituesin.
“Ky parim vlen besoj për Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën dhe ne këtë parim në emër edhe të një parimi duam ta sjellim fitoren.”,- theksoi Ziadin Sela nga ASh.
Por, kështu nuk mendon kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, sipas të cilit parimi fituesi me fituesin më nuk vlen, pasi është shkelur kur është formuar koalicioni LSDM-BDI.
“Jeta nuk është lojë dhe në jetë ka parime që nëse njëherë thyhen atëherë më nuk janë parime. Dhe në emër të kësaj unë mund t’u them se politikat që i udhëheq VMRO-DPMNE bazohen në parime dhe për shkak se ky parim njëherë është shkelur, në një intervistë televizive thamë se parimi i ardhshëm do të jetë program me program, e këtë parim nuk e ndryshojmë.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Ndërkohë, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, paralajmëron mundësinë për formimin e koalicionit parazgjedhor me partitë politike shqiptare. Si parti me të cilat mund të koalicionohet janë Lëvizja Besa dhe PDSh.
“Besoj se për herë të parë do të mbledhim forca që të bëjmë koalicion parazgjedhor me parti politike shqiptare. Ne nuk jemi më parti maqedonase, por jemi parti multietnike, me trup dominant votuesish maqedonas, ashtu siç e kemi edhe përbërjen etnike në shtet.”,- u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Por, i pyetur rreth mundësisë që LSDM të bëjë koalicion me Besën dhe PDSH-në, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se kjo çështje është e parëndësishme për BDI-në.
“Nuk shoh asgjë në këtë sojuz (lidhje).”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali AHmeti.
Lëvizja Besa dhe PDSh deri tani nuk kanë vendim të prerë rreth mundësisë për koalicionim me LSDM-në, por vetëm e kanë lënë të hapur mundësinë për të biseduar rreth kësaj çështje.
VLORA LATIFI TOPOJANI
