Maqedoni
Ciolos: Zgjedhjet, me rëndësi për eurointegrimet. Spasovski: Fushata do të jetë e “pistë”
21.02.2020 17:50
Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian...

Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian, por reformat duhet vazhduar pasi përveç që kjo është kërkesë e BE-së, kjo është edhe nevojë për qytetarët e vendit, thotë kryetari i grupit parlamentar “Rindërtoje Evropën”, Dacian Ciolos.
Sipas tij, marrëdhëniet me fqinjët dhe respektimi i marrëveshjeve dypalëshe janë po ashtu shumë me rëndësi, ashtu siç janë me rëndësi edhe zgjedhjet e 12 prillit, të cilat duhet të dëshmojnë pjekurinë e politikanëve dhe qytetarëve të vendit.
“Maqedonia e Veriut do të ketë nevojë për një shumicë të fortë në Kuvend me qëllim që të bëjë reformat e nevojshme për qytetarët, por edhe për të pasur sukses në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Nëse retorika do të jetë banale, do të jetë në dëm të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të vendit. Prandaj mendoj se është e rëndësishme edhe për mediat që të krijojnë atmosferën dhe kornizën e një debati me vizione konkrete se çfarë një politikan dhe se çfarë partitë politike duan për vendin në të ardhmen.”,- tha kryetari i grupit parlamentar “Rindërtoje Evropën”, Dacian Ciolos.
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, shpreh angazhimin e qeverisë për krijimin e ambientit për zgjedhje të lira, por pret fushatë të tendosur parazgjedhore.
“Do të jetë e pistë pasi ajo varet nga subjektet politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor. Mendoj se ende parti të caktuara politike nuk e ka në kuptuar se njerëzit i duan gjërat pozitive, dëshirojnë të shohin se çfarë do t’u ofroni atyre, çfarë zhvillimi dhe përparimi dhe çfarë shprese ofroni për shtetin.”,- u shpreh kryeministri, Oliver Spasovski.
Njëherit u theksua se mediat duhet të ndihmojnë në krijimin e debatit për vizion konkret, me çka qytetarët do të nxiteshin të dalin në zgjedhje.
GYLTENE SINANI
