Maqedoni
VMRO/LSDM, përplasje për drejtësinë
21.02.2020 18:06
VMRO-DPMNE ka pyetur sërish Zoran Zaevin dhe Vice Zaevin se çka kanë biseduar me të akuzuarën, Katica Janeva...

VMRO-DPMNE ka pyetur sërish Zoran Zaevin dhe Vice Zaevin se çka kanë biseduar me të akuzuarën, Katica Janeva, dhe me të dënuarin Kiçeec.
Këshilltari i Zaevit, Bojan Mariçiç, publikisht pranoi se Zaevi e ka informuar Bokin për atë se është akuzuar për zhvatje, thonë nga VMRO nga e cila ftojnë Vice Zaevin të pranojë se ka pasur takime me Zoran Milevskin Kiçeec.
“A e di Vice Zaevi se ku gjendet çanta “Llui Viton” përplot me para, atë çantë që Milevski e bart nga shtëpia e biznesmenit së bashku me Boki 13. Është e qartë se Vice Zaevi ka shumë të flasë në opinion dhe gjykatë. Sërish inkurajojmë prokurorinë dhe gjykatën dhe ftojmë Ruskovskën dhe Jovevskin të mos frikohen dhe t’i ftojnë vëllezërit Zaev për t’i marrë në pyetje.”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
VMRO-DPMNE akuzon edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe ministren, Radmilla Shekerinska, se kanë paguar dy makineri për nevojat e ARM-së për vlerë më të lartë 150 për qind nga çmimi normal.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Shekerinska nuk mohojnë se i kanë paguar dy makineritë grejder për shumë më të lartë 150 për qind se normalja. Me arsyetimin se çmimet me të vërtetë kanë qenë më të larta, por Shekerinska ka qenë transparente dhe në këtë mënyrë ata konfirmuan se kanë përvetësuar mbi 250 mijë euro.”,- u shpreh Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM iu kundërpërgjigj akuzave të VMRO-së duke thënë se makineritë me të cilat është furnizuar Ministria e Mbrojtjes ka pasur procedurë tenderuese dhe janë respektuar dispozitat ligjore.
Për dallim prej sundimit të VMRO-DPMNE-së kur tenderët jepeshin përmes telefonit tani procedurat janë transparente, thonë nga LSDM. LSDM i kundërpërgjigjet edhe zëdhënësit të VMRO-së Stollkovski, lidhur me akuzat në adresë të Zoran Zaevit dhe Vice Zaevit.
“LSDM është për drejtësi dhe përgjegjësi,VMRO-DPMNE është për amnisti të kriminelëve dhe ripërtëritjen e regjimit dhe izolimit. Derisa VMRO-DPMNE gënjen, ne po e shpiem shtetin në NATO dhe BE, përderisa në pallatin e bardhë publikohen lajme të rrejshme, ne po i rrisim pagat, derisa Mickovski mbron krimin, ne sigurojmë të drejta. VMRO-DPMNE, Mickovski dhe dirigjenti i tyre nga Budapesti, nuk do ta kthejnë shtetin një hap pas në izolim dhe regjim.”,- thuhet në komunikatën e LSDM-së.
FLUTURA LATIFI
