Maqedoni

ASh dhe Alternativa zyrtarizuan koalicionin

21.02.2020 18:27

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa zyrtarizuan marrëveshjen për koalicion parazgjedhor...

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa zyrtarizuan marrëveshjen për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit.
 
Kreu i ASH-së, Ziadin Sela, dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi, nënshkruan marrëveshjen për garë të përbashkët zgjedhore. “Shtet për të gjithë” do të jetë motoja e koalicionit, i cili pretendon të bëj ndryshimin në bllokun shqiptar në këto zgjedhje.
 
“Bëjmë një hap përpara drejt fuqizimit dhe maksimalizimit të votës. Ky është një ndër qëllimet e këtij koalicioni, i cili do të hapërojë sigurt për sjelljen e ndryshimit më 12 prill, ndryshim ky kaq i pritur për shoqërinë shqiptare këtu në Maqedoninë e Veriut. Kur flas për ndryshim, fjalën e kam për kthimin e demokracisë së munguar brenda për brenda shoqërisë shqiptare.”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
“Bashkimi jonë, i dy subjekteve shqiptare, nuk e ka për qëllim hakmarrjen, nuk e ka për qëllim nxitjen e vëllavrasjes, apo nxitjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve të tjerë apo ndaj komuniteteve tjera. Ne jemi këtu për t’ju thënë se pas 12 prillit ne do të kujdesemi për të gjithë shqiptarët  pavarësisht cilën parti ata e votojnë.”,- theksoi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
 
Sipas krerëve të dy partive përkatëse, marrëveshja e nënshkruar ka pasur për qëllim krijimin e një blloku trepalësh, por sipas tyre Lëvizja Besa është vetëpërjashtuar.
 
Sa u takon listave për deputetë, Gashi zbuloi se do të jetë bartës në njësinë zgjedhore numër dy ndërkaq Sela në njësinë zgjedhore numër gjashtë.
 
Edhe pse ky i fundit nuk përjashtoi mundësinë që të jetë bartës liste edhe në njësinë e parë ose në njësinë pesë, nëse kreu i BDI-së e pranon si sfidë.
 
Koalicioni i ri, përjashtoi mundësinë për koalicionim parazgjedhor me ndonjë parti maqedonase.         
 
SHPËTIM NUREDINI