Botë

Itali, regjistrohen gjashtë raste me virusin Korona

21.02.2020 20:00

Italia ka shënuar gjashtë infeksionet e para të virusit Korona...

Një 38 vjeçar, i testuar pozitiv për testin e virusit Korona është në gjendje të rëndë. Të infektuar janë gjithashtu edhe gruaja e tij shtatzënë në muajin e tetë si dhe një mik i 38 vjeçarit, të dy të shtruar në izolim në Sacco në Milano.

Të gjithë pacientët kanë pneumoni të rëndë, ndërsa gruaja e 38-vjeçarit është në një situatë më pak të rëndë. Por kanë rezultuar pozitiv pas testeve edhe gjashtë raste në Lombardi ku 250 persona janë vendosur në izolim pasi kanë pasur kontakt me 38 vjeçarin dhe do t’i nënshtrohen testeve teksa 150 prej tyre kanë pasur “kontakte të ngushta”.

“Të gjithë qytetarët e Castiglione d’Adda, Codogno dhe Casalpusterlengo janë të ftuar, si masë paraprake, të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin kontaktet sociale“, kjo është këshilla që është dhënë nga këshilltari rajonal Giulio Gallera.

Komuna e Codogno ka nxjerrë edhe dy urdhra të tjerë “të përkohshëm dhe paraprake”: mbylljen e shkollave, bareve, restoranteve, vendeve publike në përgjithësi dhe zyrat komunale për emergjencën shëndetësore.

Edhe Koreja e Jugut i rriti masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, pasi numri i rasteve të prekura u rrit ndjeshëm për të dytën ditë me radhë. Të premten, Koreja e Jugut raportoi për 52 raste të reja, ndërsa të enjten për 53.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë së Iranit përmes një kumtese ka informuar se numri i të vdekur nga virusi korona “Kovid 19” në Iran është rritur në pesë persona.