Maqedoni

Universitetet “pro” testimit nëse ruhet autonomia

06.10.2014 17:38

Universitetet private në Maqedoni do të mbështesin testimin ekstern të studentëve në qoftë se do të saktësohej se kush do ta organizojë...

Universitetet private në Maqedoni do të mbështesin testimin ekstern të studentëve në qoftë se do të saktësohej se kush do ta organizojë atë dhe nëse nuk do të cenohet autonomia e universiteteve.
 
Kështu deklarojnë përfaqësuesit e universiteteve private në vend, pas njoftimit për ndryshime në Ligjin për Arsim të Lartë.
 
Nga Universiteti Ndërkombëtar në Strugë, profesor Armen Kadriu pohon se çdo nismë nga MASH-i, që do të jetë në funksion të rritjes së cilësisë së studentëve në RM-së, do të gjejë mbështetjen e këtij universiteti. 
 
“Por duhet të gjenden modaliteti dhe forma më e lehtë pa e cenuar autonominë e universiteteve në Maqedoni, që të zgjidhet mënyra se si të bëhet ai testim ekstern, të definohet se kush do ta organizojë këtë testim ekstern, kush do ta marrë përgjegjësinë nëpër fakultete të ndryshme, kemi fakultete dhe universitete shoqërore, kemi të shkencave të natyrës. Duhet të definohet deri në modalitetin e fundit, që mos të cenohet autonomia e universitetit, por në parim nisma është pozitive dhe ka ardhur koha që ne duhet të vendojmë rregull dhe të rrisim cilësinë e mësimdhënies, cilësinë e diplomave dhe cilësinë e studentëve në RM-së”- deklaroi prof. dr. Armen Kadriu nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës. 
 
Nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, sekretari i përgjithshëm, Visar Ramadani, deklaron se ndryshimet e paralajmëruara në Ligjin për Arsim detyrimisht duhet të kalojnë përmes fultereve të universiteteve, sidomos të atyre private, për shkak se universitetet private thithin më shumë studentë nga jashtë.
 
“Këtu duhet të cek testimin e studentëve që vijnë nga jashtë shtetit, UNB, me rreth 55 për qind të numrit të përgjithshëm të studentëve ka një numër të studentëve që vijnë nga jashtë, nga tërë vendet ballkanike, por edhe nga Republika e Turqisë. Këtu sidomos do të kemi fokusin e interesit tonë që të bëjnë një modus, i cili do të jetë i kënaqshëm jo vetëm për MASH-in dhe ne si universitet, por do të jetë i pranueshëm edhe për studentët të cilët do të zgjidhen në universitetin tonë, por edhe në universitetet tjera për të vijuar studimet tyre universitare”- tha Visar Ramadani nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik. 
 
Por, sipas anketës së realizuar nga portali “fakulteti.mk”, numri më i madh i studentëve nuk pranojnë t’i nënshtrohen testit ekstern.
 
Nga gjithsej 3703 të anketuar, vetëm 277 studentë, ose shtatë për qind e tyre e kanë arsyetuar këtë lloj të testimit dhe 3426 apo 93 për qind janë kundër dhe nuk e pranojnë. 
 
MEFAIL ISMAILI