Maqedoni
4 të vdekur nga tragjedia në Rramanli, 5 të lënduarit në aparate për frymëmarrje
24.02.2020 13:03
Bombola e gazit, që të dielën shpërtheu në fshatin Rramanli të Kumanovës....

Bombola e gazit, që të dielën shpërtheu në fshatin Rramanli të Kumanovës, tanimë ka marrë katër jetë njerëzish, ndërsa edhe tre të lënduar janë në gjendje të rëndë shëndetësore, theksoi drejtori i Qendrës Urgjente, Ilir Hasani. Ky i fundit sqaroi se dy gra të moshës 35 dhe 50 vjeç kanë djegie të mbi 80% të trupit, ndërsa burri i lënduar ka djegie rreth 45%.
“3 pacientë janë të hospitalizuar, janë në gjendje mjaft kritike, 2 prej tyre të gjinisë femërore gjenden në gjendje mjaft kritike, ku kanë djegie të trupit mbi 80%, derisa pacienti i cili është rreth moshës 60 vjeçar ka djegie të trupi 45%. Djegiet janë të shkallës së dytë dhe të tretë, që janë lëndime shumë të rënda e bëjnë lëndimin mjaft kompleks për trajtim. Tre janë të intubuar janë në aparat për frymëmarrje.”,- deklaroi drejtori i Qendrës Urgjente, Ilir Hasani.
Edhe tre persona të tjerë të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Rramanli janë të shtrirë në spitalin e qytetësit dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Një grua 31 vjeçare dhe një fëmijë 10 vjeçar kanë djegie të trupit mbi 70%. Ndërsa një grua 28 vjeçare, e cila është edhe shtatzënë, ka pësuar djegie prej 25%.
“Rëndues është fakti se pacientja është në muajin e shtatë të shtatzënisë. Dje e njëjta ka kryer kontrolle tek gjinekologu dhe është konstatuar gjendja e fëmijës. Por, nuk dihet se si do të vijojë situata, nuk mund të flasim para kohe. Dhe pacienti i tretë është një fëmijë i moshës 10 vjeçare që sipas rezultateve të para që janë kryer dje, fatkeqësisht u konstatua se është i djegur afërsisht 70%. Kjo u vërtetua në momentin kur fëmija hyri në sallën e operimi. Është fëmijë i moshës 10 vjeçare, për momentin gjendja është stabile, por është në rrezik për jetë. 31 vjeçarja ka të djegura të brendshme, do të thotë në rrugët e frymëmarrjes.”,- u shpreh mjeku në spitalin e qytetit, Ljuben Arsenov.
Shpërthimi i bombolës ndodhi të dielën në mëngjes në një dhomë ku humbën jetën tre fëmijë të moshave prej 8 deri në 11 vjeç, ndërsa më vonë në spital, nga lëndimet e marra ndërroi jetë personi i katërt.
REJHANE BUSHI METAJ
