Botë

BDI: Përfaqësimi i shqiptarëve në administratë 20%

24.02.2020 15:31

Mbi 400 administratorë, nga 1.600 të punësuar që nga viti 2008 në Sekretariatin për Implementimin e MO-së....

Mbi 400 administratorë, nga 1.600 të punësuar që nga viti 2008 në Sekretariatin për Implementimin e MO-së, janë shpërndarë nëpër vendet e tyre të punës, thotë sekretari shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Adem Avziu. Ai thotë se autoritetet po punojnë për shpërndarjen adekuate të pjesës tjetër të administratorëve, e cila duhet bërë konform arsimimit, aftësitë dhe njohurive të administratorëve.
 
“Vendimi i fundit ishte për shpërndarjen e 900 administratorëve diku mbi 400 veç më janë shpërndarë të tjerët janë në procedurë, bëhet harmonizimi i sistematizimeve të institucioneve me vendet e punës dhe me arsimimin profesional. Ky proces ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së ardhshme dhe i BDI-së që ky proces të rrumbullakohet sa më shpejtë që është e mundur.”,- deklaroi sekretari shtetëror në MSHIA, Adem Aviziu. 
 
Avziu tha se ndryshimet në ligjin për nëpunës shtetërorë mundësojnë tashmë edhe avancimin e tyre, por kjo do të vlejë nga 1 qershori.
 
 
“Përkatësisht, secili nëpunës administrativë i cili dy vite ka qenë në vendin e punës në të njëjtin nivel, duke marr parasysh edhe notën e fundit mesatare kur ka qenë i notuar, do të mund të kalojë në pozitë më të lartë të vendit të punës. Me këtë ndryshim përfundimisht të gjithë administratorëve shtetërorë të cilët punojnë në vende pune me arsim të mesëm, të cilët deri në miratimin e këtij ligji kanë kryer arsimimin e lartë, do t’u njihet, përkatësisht do t’u vlerësohet arsimimi i lartë.”,- tha sekretari shtetëror në MSHIA, Adem Avziu. 
 
ASh: BDI bën presion ndaj administratorëve
 
Avziu njëherit deklaroi se është rritur përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucione, e cila, siç tha ai, nga 2%, tani arrin në mbi 20%. Në pres konferencën e BDI-së kanë reaguar nga Aleanca për Shqiptarët, të cilët kanë akuzuar partinë në pushtet për punësime partiake dhe manipulim me përqindjen e shqiptarëve në administratë.  
 
“Me vite kemi qenë dëshmitarë të presionit që BDI bën ndaj administratorëve, sepse për ta nëpunësit shtetërorë janë veç vota dhe asgjë më tepër. Fatkeqësisht gjendja ekonomike dhe nevoja për punë bën që kjo fuqi punëtore të keqpërdoret dhe të manipulohet, e të përdoret si mjet për sigurimin e votave. Përqindja reale e administratorëve shqiptarë është larg përqindjes që e proklamojnë zyrtarët e BDI-së; në nivel qendror më pak se 18 %, ndërsa nivel udhëheqësish më pak se 5%. Dhe aq më pak kjo përqindje nuk mund të quhet e vërtetë kur vetë ministri i administratës dhe shoqërisë informatike deklaroi se ekziston manipulim me përkatësinë etnike gjatë punësimeve, që nënkupton se për cilën do qoftë përqindje të flasim duhet t’i vëmë një pikëpyetje të madhe.”,- thuhet në reagimin e ASh-së.
 
Nga kjo parti thonë se pas 12 prillit do të hiqet “Ballanseri”, i cili mundëson manipulime dhe në vend të tij për të arritur përfaqësimin adekuat do të iniciojë Ligj për përfaqësimin të barabartë dhe adekuat. 
 
REXHEP QAMILI